Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho ka treguar Shqipërinë në vendlindjen e tij, Brazil. Për “Estadao”, trajneri ka cekur se objektiv është kualifikimi në Europianin 2024. Sylvinho do debutojë me Shqipërinë në 27 mars në përballjen e eliminatoreve 2024 kundër Polonisë në Varshavë. Në grupin E, përveç polakëve janë dhe Republika Çeke, Ishujt Faroe dhe Moldavia.
”Kur pranova ofertën e Shqipërisë, e dija mjaft mirë që synimi i tyre ishte një trajner i huaj. Qëllimi kryesor është të kualifikohemi në Euro 2024”, tha Sylvinho fillimisht.
Trajneri më pas u ndal te puna e vështirë që ka zgjedhur të bëjë, duke treguar se iu desh të bënte kursin e UEFA për një afat pesë vjeçar për shkak të angazhimeve.
“Kam udhëtuar në vitet e fundit qoftë në Brazil, Japoni, Australi apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. M’u deshën pesë vite për përfundimin e kursit të UEFA-s. Kam humbur pushime të rëndësishme. Ne brazilianët jemi trajnerë të mirë, që dimë të punojmë, jemi premtues dhe pa dyshim duam kohën tonë. Unë jam i lumtur që jam mes tyre”, tha trajneri.
Sylvinho tregoi edhe një nga elementet më të rëndësishme, që është gjuha. Sipas tij gjuha jonë është ndër më të vështirat në botë. Trajneri foli edhe për lojtarët që do thirren në grumbullimin e parë.
“Gjuha shqipe është një nga më të vështirat e botës. Ndryshe nga sa thonë njerëzit, puna këtu në Shqipëri nuk mungon. Merremi me shumë analiza, përmbledhje, klipe lojtarësh nga 90 minuta prej secilit prej 30 futbollistëve të mundshëm që do të thirren. Së paku shtatë futbollistë do të thirren nga Serie A. Nga tri udhëtimet e rëndësishme, dy ishin drejt Italisë. Të tjerët luajnë në Angli, Spanjë, Turqi dhe Greqi. Unë ndjek dhe kampionatin vendas teksa kemi vënë re 2-3 futbollistë të rinj me shumë talent për të qenë pjesë e jona. Do të jem i drejtpërdrejtë me ju, kam besim se mund të kualifikohemi në Evropian pasi grupi është vërtetë i balancuar”, tha Sylvinho.