Trajner i Shqipërisë, Sylvinho, ka shpallur paraprake me 27 futbollistë që do të grumbullojë për përgatitoret në kuadër të Euro 2024-ës.
Të gjithë këta futbollistë do të vihen në dispozicion të trajnerit për të garuar për një vend në listën zyrtare të 26 futbollistëve që do të shkojnë në Gjermani, e cila do të publikohet zyrtarisht më 7 qershor, teksa vetëm njëri nuk do të marrë pjesë në Europian.
Mungesa të mëdha janë padyshim sulmuesit Sokol Cikalleshi dhe Myrto Uzuni, teksa janë ftuar Arbër Hoxhaj dhe Rey Manaj.
Surprizë është Medon Berisha, kapiteni i Shqipërisë U21, që ka luajtur titullar me Leccen javët e fundit, por edhe portieri Simon Simoni.
“Jam shumë krenar që kemi ardhur në këtë moment. Trajneri dhe stafi ka një falënderim të veçantë për të gjithë ata që kanë dhënë këtë kontribut. Një mirënjohje dhe respekt për të gjithë. Zgjedhjet e stafit janë bazuar mbi një proces të gjatë studimi dhe analizash, por edhe duke pasur parasysh karakteristikat që ka ky kompeticion. Ne nuk luajmë thjeshtë për 3 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, por mbi 10 milionë shqiptarë nëpër botë”, tha Sylvinho.
Shqipëria do të nisë rrugëtimin në Gjermani 2024 me përballjen ndaj Italisë mbrëmjen e 15 qershorit në “Signal Iduna park” të Dortmundit, ndërsa sfida e dytë do të jetë ndaj Kroacisë më 19 qershor, për të vijuar me Spanjën më 23 qershor.