“Hey Liam! Ti i ke bërë njerëzit e të gjithë botës të mendojnë se shqiptarët janë kriminelë, keqbërës dhe rrëmbyes. Mbase është koha të të tregojmë aftësitë tona specifike. Merr avionin sepse mendojmë se do të rrëmbehesh, nga Shqipëria!” Kështu nis fushata më e re, e cila ka për qëllimin të promovojë turizmin në Shqipëri. Një thirrje personale ndaj aktorit irlandez, i njohur nga publiku shqiptar në filmin “Taken”, në rolin e një ish-agjenti të CIA-s, vajza e të cilit rrëmbehet nga trafikant shqiptar, tashmë i kthyer në emblematik si, Marko from Tropoja.
Pikërisht nga aty, nga alpet e mbuluara me dëborë nis edhe videoja promovuese që e fton aktorin të marrë avionin e të rrëmbehet nga bukuria e Shqipërisë. Në videon, e cila u bë virale me t’u publikuar shfaqet edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili gjithashtu fton aktorin të rrëmbehet nga bregdeti dhe buzëqeshja miqësore. Mes pamjeve spektakolare të bregdetit, maleve, liqeneve, por edhe traditës së lashtë dhe kulturës, një zonjë e moshuar nga agro-turizmi “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Lezhës, e fton Liam Neeson-in të vijë e të provojë byrekun.
Duke përdorur titullin e filmit “Taken”, që në shqip do të përkthehej “rrëmbyer”, një grup të huajsh në një prej atraksioneve me ujëra termale në Shqipëri, i drejtohen aktorit “Ne jemi rrëmbyer nga Shqipëria, tani është radha jote”. “Në kulturën popullore, Shqipëria është ngjyruar si një strehë banditësh, kriminelësh dhe gangsterësh. Ndërsa kuptojmë se perceptimi mund të jetë i mirë për filma, si Taken, i realizuat më 2008-ën, është krejt e pavërtetë. Në të vërtetë, Shqipëria është një vend i bukur dhe shumë i sigurt për t’u vizituar dhe për të jetuar. Kjo është arsyeja që nisëm këtë fushatë për t’i bërë thirrje aktorit të famshëm të filmit “Taken”, Liam Neeson”, shkruhet në website-in TakenbyAlbania, ndërsa data e prezantimit të kësaj fushate është bërë e ditur të jetë 27 shkurti, ndërsa si pjesë e saj është edhe peticioni, ku kërkohet të nënshkruhet që z.Neeson të vijë në Shqipëri dhe të rrëmbehet nga natyra, mikpritja dhe traditat e përjetshme të saj.
“Taken” është një film francez triller-aksion me skenar nga Luc Besson dhe Robert Mark Kamen dhe regji nga Pierre Morel. Neeson luan rolin e Bryan Mills, ish-operativit të CIA-s, i cili niset të gjurmojë të bijën Kimin dhe shoqen e saj Amanda, pasi dy vajzat janë rrëmbyr nga trafikantë shqiptarë, ndërsa ato po udhëtonin në Francë për pushime. Me arkëtime që kapën shifrën e 226 milionë dollarëve shumë media e panë filmin si pikë kthehese nëë karrierën e aktorit, i cili u shndërua nën jë yll filmash aksioni. Kështu filmi u kthye në sagë, me dy pasues “Taken 2 dhe “Taken 3” – 2012 dhe 2014. Filmi u prodhua nga kompania EuropaCorp e Luc Besson, icli e mori idenë për “Taken” gjatë një darke dhe Morel-it i pëlqeu menjëherë ideja e një babai që lufton për të mbrojtur të bijën.
Kjo fushatë e lindur si nismë e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit është mbështetur nga Programi Zviceran i Sipërmarrjes. Në një intervistë të publikuar në faqen TakenByAlbania, Jakob Modéer nga Programi Zviceran i Sipërmarrjes, rrëfen sesi lindi ideja e “Taken”. “Ne sollëm Damjan Damjanovski, ekspertin i cili doli me idenë e temës “Taken” për fushatën”, ka thënë ai, ndërsa në terren puna është bashkërenduar nga Blerina Ago, këshilltare e Ministrisë së Turizmit, si edhe ekspertë të tjerë si Neil Cocker dhe Roland Simon, për ta përmirësuar më tej fushatën dhe për të zhvilluar strategjinë.
Modéer i cili prej 25 vitesh punon në vende si Rusia, Europa Lindore dhe Ballkani ka rekomanduar se ne vend të luftohen stereotipat, duhen shfrytëzuar në përfitime, siç është edhe kjo fushatë. “Gjatë viteve, të këqijtë një filmat hollivuddianë kanë ndryshuar. Të gjithë e kujtojmë Ivanin tek Rocky V. Atëkohë të këqijtë ishin pothuajse gjithmonë rusë. Ai rol i të keqit, pasta i kaloi serbëve dhe bullgarëve dhe tani shqiptarëve. A do të thotë kjo se nuk je i sigurt po të ecësh nëpër rrugët e Moskës, Beogradit, Sofjes apo Tiranës? Krejt në të kundërt, këto janë ndoshta disa nga qytetet më të sigurt në Europë”’, ka thënë ai ndërsa ka rrëfyer një histori personale të prindërve të tij që vizituan Shqipërinë, duke shtuar se shqiptarët janë mikpritës për nga natyra. “Fakti që Shqipëria përmendet në shumë filma, do të thotë se Shqipëria ekziston në mendjen e të tjerëve jashtë Shqipërisë. Dhe është gjithnjë një pikë më e mirë nisjeje, sesa të shpjegonit ekzistencën tuaj”.
Për të luftuar stereotipat, mendon Modéer, do të duhet kohë dhe turistë në Shqipëri, të cilët do t’u rrëfejnë përvojat personale miqve dhe të njohurve në vendet e tyre. Histori pas historie, mendon menaxheri rajonal i Programit të Sipërmarrjes Zvicerane imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë. “Po ju tregoj një shembull me prindërit e mi. Në Berat, ima atë harroi xhaketat në hotel, nuk e kuptoi derisa nxori plaçkat në mbrëmje në Tiranë. Mamaja i tha të blinte xhaketë të re, që do të ishte ndihmë për ekonominë vendase, por im atë refuzoi të psoniste. Ç’të bënim? Të ktheheshim në Berat për dy xhaketa, nuk ishte opsion. Më pas u kujtova se një nga stafi im është nga Berati, ajo telefonoi të atin, që shkoi në hotel, i mori xhaketat e tim eti, i vendosi në autobusin e mëngjesit për Tiranë, ku një anëtar i stafit i mori dhe i solli në zyrë në orën 9 të mëngjesit. Ç’histori mendoni se do të tregojnë prindërit e mi kur të kthehen në shtëpi?” .
Modéer thotë se Shqipëria do të ketë turistët që do dhe për të cilët ka punuar fort për t’i pasur, duke sugjeruar se vendit i duhen operatorë ndërkombëtarë udhëtimesh dhe strukturë për të përballuar turizmin. Në fund të videos, aktori shqiptar Arben Bajraktaraj, i njohur për rolin e Marko Hoxhës nga Tropoja, në filmin “Taken” i drejtohet Liam Neeson-it me fjalët “Siç të kam rrëfyer miku im i shtrenjtë, shtëpia e shqiptarit i përket Zotit dhe mikut. Mirësevjen!’