Shtëpia e Bardhë tha se takimi i dytë ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të mbahet në fund të muajit shkurt në një vend që “do të publikohet më vonë”.
Njoftimi u publikua pas takimit të presidentit Trump me të dërguarin kryesor të çështjeve bërthamore të Koresë së Veriut Kim Yong Chol, ku sipas Shtëpisë së Bardhë është diskutuar “mbi marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe përpjekjet e Phenianit për çarmatimin bërthamor”.
Takimi i presidenti Trump me ish kryespiunin e Koresë së Veriut i cii shpesh cilësohet si dora e djathtë e Kim Jong Unit, zgjati 90 minuta.
Pas takimit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, u tha gazetarëve se administrata po vazhdon “të shënojë përparim” në këtë front.
“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë trysninë dhe sanksionet ndaj Koresë së Veriut derisa nuk shohim një çarmatim të plotë dhe të vërtetueshëm bërthamor”, tha ajo, duke shtuar se “është parë vullnet i mirë nga Koreja e Veriut me lirimin e pengjeve dhe lëvizje të tjera”.
Më herët të premten, Kim Yong Chol u takua me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në një hotel në Uashington. Qëllimi i takimit ishte rifillimi i negociatave rreth çarmatimit bërthamor, të cilat janë shtyrë për muaj me radhë për shkak të asaj që zyrtarët e SHBA-së thonë se është refuzimi i Phenianit për të përmbushur kërkesën e Uashingtonit për një inventar të detajuar të programit të tij bërthamor e raketor.