Disa militantë të PD-së janë mbledhur në superstradën Lezhë-Shkodër për të bllokuar kalimin e kryeministrit Edi Rama i cili në orën 19:00 do të jetën në Shkodër për të vijuar takimin elektoral për të prezantuar Valdrin Pjetrin i cili kandidon për bashkinë e Shkodrës.
Këta militantë që kanë bllokuar rrugët janë punonjës të Bashkisë Shkodër.
Ndërkohë, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka deklaruar se nuk i jep leje kreut të qeverisë që të vijojë fushatën elektorale.
Policia e Shkodrës dhe Garda janë vendosur në pedonalen e Shkodrës në zonën ku është njoftuar të mbahet mittingu elektoral i kreut të qeverisë, Edi Rama.
Në një deklaratë të bërë nga strukturat e PD në këtë qytet ftohen qytetarët të marshojnë në zonën ku do të mbahet takimi i socialistëve ku pritet të prezantohet edhe kandidati për Bashkinë e Shkodrës, Valdrin Pjetri.
“Të nderuar bashkëqytetarë, Shkodra dhe mbarë Shqipëria por përballet me një klikë kriminale. Sot në 18:30 PD Shkodër fton qytetarët në një takim dhe marshim për të ndalur këtë murtajë që po përpiqet përsëri për të vjedhur vullnetin e qytetarëve. Për fëmijët tanë, për të ardhmen tonë, për të ardhmen demokratike”, thuhet në deklaratën e PD Shkodër.”