Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbërritur pak minuta më parë në Presidencë. Kreu i shtetit Ilir Meta e ka thirrur në zyrë Berishën, si ish-President.
Berisha është pritur nga Meta në derën kryesore të Presidencës.
Pas takimit me Metën pritet që Berisha të japë një konferencë për mediat
Sakaq, Meta ka thirrur në takim edhe ish-Presidentët, Alfred Mosiu, Bamir Topi dhe Bujar Nishani.
Ndërkohë, dje Meta u takua me ish-kreun e shtetit Rexhep Mejdanin. Takimet e Metës me ish-Presidentët e vendit vinë në kuadër të krizës politike në vend.
Ndërsa burime pranë Presidencës bëjnë me dije se pasdite Presidenti do të takohet me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile të angazhuara në monitorimin e zbatimit të Reformës në Drejtësi.
Mes tyre do të ketë edhe përfaqësues të Fondacionit Shoqëria e Hapur Soros. Më herët Meta e ka kritikuar përfshirjen e këtij fondacioni në procesin e Reformës në Drejtësi, madje në një dalje për mediat më 2 korrik paralajmëroi George Soros: “Ai të vazhdojë të investojë në tregjet e mëdha, sepse Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit, por i Avni Rustemit, Mic Sokolit dhe shqiptarëve të tjerë”.