Extra Talebanët paralajmërojnë berberët

Talebanët paralajmërojnë berberët

Të shkurtosh apo presësh mjekrën në Afganistan po bëhet e paligjshme. Ky është vendimi më i fundit i marrë nga talebanët në provincën Helmand duke paralajmëruar berberët që mos ta bëjnë diçka të tillë pasi shkelin interpretimin e tyre të ligjit islamik.

Çdokush që shkel këtë rregull do të ndëshkohet, bën me dije policia fetare e talebanëve. Të njëjtin urdhër kanë marrë edhe disa berberë në kryeqytetin Kabul.

“Askush nuk ka të drejtë të ankohet”, lexohet në një shënim të lënë nga talebanët, të cilët po përdorin dhe inspektorë të fshehtë për të zbuluar ata që thyejnë urdhrin.

Berberët në Kabul thanë për BBC se kanë marrë telefonata nga zyrtarët talebanë duke u thënë se do të dënohen nëse ndjekin modelet moderne amerikane, të cilat ishin ndër më të përhapurat  në Afganistan.

“Sallonet e bukurisë po bëhen një biznes i ndaluar. E kam bërë këtë punë për 15 vite, por mesa duket nuk do të jem në gjendje ta vazhdoj më,” tha një berber për BBC.

Udhëzimet sugjerojnë një kthim të rregullave të ashpra të grupimit në pushtet, pavarësisht premtimeve për një formë më të butë të qeverisjes. Që prej marrjes së drejtimit të Afganistanit muajin e kaluar, talebanët kanë ndërmarrë ndëshkime të rënda ndaj kundërshtarëve.

Gjatë fundjavës, militantët e këtij grupimi vranë 4 persona të dyshuar për rrëmbim dhe trupat e tyre u varën në një vinç në qendër të qytetit Herat. Ndërkohë, gratë vijojnë të vuajnë mungesën e lirive dhe të drejtën e punës.