Talentet kuqezi janë kudo në Europë tashmë, por më tepër në Itali. Të lindur në vende të ndryshme nga prindër shqiptarë emigrantë, ata kanë hedhur hapa të rëndësishëm në karrierë dhe kanë zgjedhur të përfaqësojnë vendin e origjinës.
Njëri prej këtyre talenteve është edhe Serxhio Kalaj, i lindur në Marino (Romë). Ai është rritur në sektorin e të rinjve të Savios, më pas ka qenë pjesë e Romës U-17 dhe Lacios U-21. Kalaj gjithashtu është pjesë e Kombëtares Shpresa të Shqipërisë. Tashmë ai ka firmosur një kontratë deri në vitin 2026 me Frozinonen në Serinë B, një ekip me ambicie për t’u ngjitur në elitë.
Kalaj së fundi është aktivizuar me Karrarezen në Lega Pro dhe ky ëhstë një hap shumë i rëndësishëm për karrierën e tij. Është 21 vjeç dhe luan si qendërmbrojtës, 193 centimetra i gjatë. Ka luajtur në nivel profesionist edhe me Groseton, ku numëron 21 ndeshje. Me Karrarezen ka luajtur 42 ndeshje, duke fituar përvojë dhe tashmë është gati për Serinë B.
Ka një kuriozitet që e lidh Kalajn me Frozinonen. Në sezonin 2018-19, trajneri i atëhershëm i Lacios, Simone Inzagi, e grumbulloi për herë të parë me ekipin e parë pikërisht për një transfertë ndaj Frozinones. Futbollisti shqiptar ka profilin e një qendërmbrojtësi klasik, i fortë fizikisht.
Në një të ardhme të afërt Kalaj mund të ndjekë rrugën e shumë kuqezinjve, që e kanë nisur në Serinë B dhe më pas kanë shkuar në A, duke qenë garanci për Kombëtaren. Interesant është fakti se shumica e mbrojtësve të Kombëtares shqiptare luajnë pikërisht në Itali.