Bota Tensionet Lindje-Perëndim, Rusia shpreson që dialogu me SHBA të vijojë

Tensionet Lindje-Perëndim, Rusia shpreson që dialogu me SHBA të vijojë

Pasi qëlloi me tanke dhe vuri në lëvizje snajperët pranë kufirit me Ukrainën, Rusia kërkon dialog.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, shpreson që bisedimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vijojnë pas një sërë takimesh të pasuksesshme këtë javë. Por gjithçka do të varet nga përgjigja e Uashingtonit ndaj kushteve të Moskës, që NATO të mos zgjerohet në Ukrainë.

“Shpresoj që bisedimet të vijojnë. Por kjo varet nga përgjigja konkrete dhe e shkruar e Shteteve të Bashkuara për propozimet tona”, tha Lavrov.

Paralajmëroi se Rusia nuk do të presë pafundësisht për të marrë një përgjigje. Ndërsa nuk përjashtoi asnjë mundësi, as atë ushtarake, si reagim ndaj një dështimi në bisedime me perëndimin.

“Presidenti Putin u pyet drejtpërdrejtë se cila do të ishte kundërpërgjigja nëse propozimet e Rusisë për garancitë e sigurisë do të refuzohen. Ai fjalë për fjalë tha se ka shumë opsione për këtë. Reagimi do të varet nga propozimet që do të më dorëzohen mua nga ekspertët e ushtrisë për t’ia dhënë presidentit”.

Tensionet në dhe përreth Ukrainës sa vijnë e shtohen. Rusia ka grumbulluar rreth 100 mijë ushtarë dhe mjete luftarake pranë kufirit mes dyja vendeve, ndërsa SHBA dhe NATO po bëjnë gjithçka munden për të shmangur një konflikt të armatosur.