Igli Tare është një nga drejtorët sportivë më të lakuar në Itali për momentin. Në një intervistë për Top Channel, Tare ka folur për shumë tema. Ish-sulmuesi i kombëtares ka dhënë mendimin e tij për zgjedhjen e presidentit të FSHF Armand Duka për t’i besuar stolin e kombëtares Edoardo Rejas, një trajner që Tare e njeh shumë mirë ndërsa foli edhe për interesimin e Milanit.
Rezultatet e Lazio nuk kanë qenë atje ku dëshironit. Cila është vështirësia më e madhe në menaxhimin e një skuadre gjatë sezonit, apo tani në presionin e merkatos?
Tani është periudha më e vështirë, për të përgatitur një sezon futbollistik. Kur skuadra është në periudhën e pushimeve është detyra e Drejtorit që të merret me përgatitjen e sezonit që vjen, me shit-blerjen e lojtarëve dhe mbi të gjitha për të krijuar onigramën e duhur për ta nisur sezonin në mënyrën e duhur.
Ndërkohë që shumë lojtarë dhe trajnerë përmenden në merkato, është përmendur edhe emri juaj. Si një nga personazhet më të kërkuara në Itali. Së fundmi edhe Milani.
Kjo është pjesë e profesionit tonë, duhet ruajtur një ekuilibër. Janë gjëra pozitive deri në një aspekt të dytë. Duhet të dish t’i menaxhosh mirë. Ajo çfarë është kryesorja është se unë jam në një klub të madh dhe në një ambient shumë familjar, e rëndësishme për të patur rezultate pozitive.
Zgjedhja juaj është e përkohshme, apo i jeni përkushtuar Lazios dhe çfarëdo klubi i madh, qoftë edhe Milani, nuk ju tundojnë?
Nuk ka ta bëjë me dëshirën time, nuk mund të shikoj përpara duke parashikuar të ardhmen. Ajo çfarë është e rëndësishme është momenti i tanishëm dhe të jemi i lumtur e të ndjehem mirë. Për të pasur sukses në fushën time është se duhet të kesh entuziazmin e duhur dhe të jesh i rrethuar në një ambient pozitiv. Kjo është një nga ato gjerat kryesore që krijon pastaj edhe suksesin. Përsa i përket të nesërmes nuk mund ta parashikoj, sepse unë e quaj Lazion, një klub shumë të madh. Por duke qenë se jam një profesionist, gjithçka mund të ndodhë në botën tonë.
Kur kujtojmë Lazion, kemi edhe trajnerin aktual të kombëtares, Edi Rejan, ish-trajner i Lazios. Ju keni punuat me të, mund të na tregoni diçka rreth tij.
Besoj se është njeriu i duhur në vendin e duhur, në momentin e duhur. Zgjedhja që ka bërë kombëtarja shqiptare besoj se është e duhura. Por çdo gjë është e lidhur me rezultatet, duhet të jenë ato që duhet të japin edhe atij mbështetjen për ta konfirmuar atë çfarë unë thashë. Eksperienca e madhe që ai ka, mënyra për të trajtuar momentet negative në një skuadër, besoj se brenda kontekstit të kombëtares shqiptare që është e ndërtuar me një miks lojtarësh me eksperiencë dhe shumë të rinj, eksperienca e tij do të jetë ndoshta e çelësi i suksesit për dy vitet e ardhshme.
Edi Reja ka një kontratë vetëm 6-mujore. A e shihni si një zgjidhje të mirë? Sepse mosha e Rejas shihet si e diskutueshme pasi bëhet fjalë për një trajner 73-vjeçare.
Ka pasur trajnerë në botë që në moshë edhe më të madhe se Reja kanë pasur sukses shumë të madh. Mosha është thjesht një numër, unë e njoh shumë mirë. Ai është një 73-vjeçar që bën jetën e një 40-vjeçari, kështu që shumë energji. Është një njeri që i pëlqejnë sfidat. Por mbi të gjitha ka një eksperiencë që mund ta ndihmojë këtë skuadër. Zgjedhja për të firmosur një kontratë disa mujorëshe i jep një avantazh FSHF-së që të mos jetë e lidhur financiarisht me një trajner, e nga ana tjetër i jep mundësinë që të studiojë metodologjinë e Rejas në këto 6 ndeshje që ai ka si provë. Nëse do ketë një përmirësim të rezultatit nga fillimi deri në fund të kësaj kontrate besoj se janë edhe bazat për të bërë diçka edhe për një periudhë 2-vjeçare tjetër.