Aktualitet Të akuzuar për trafikim droge, ekstradohen nga Gjermania dhe Greqia dy shqiptarë...

Të akuzuar për trafikim droge, ekstradohen nga Gjermania dhe Greqia dy shqiptarë të shpallur në kërkim

Dy shqiptarë të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike janë ekstraduar drejt Shqipërisë si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Është ekstraduar nga Gjermania 31-vjeçari, Eltion Dani banues në Shkodër i cili akuzohet se gjatë periudhës janar 2018-dhjetor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdha droge, në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Holandë dhe Gjermani.

Gjithashtu është ekstraduar nga Greqia edhe 43-vjeçari Vangjel Hajderasi, banues në Tiranë i cili akuzohet se më datë 30.03.2018, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë.

Njoftimi i policisë:

Të akuzuar si bashkëpunëtorë në trafikimin e sasive të mëdhaja të lëndëve narkotike, ekstradohen nga Gjermania dhe Greqia, në Shqipëri, 2 shtetas shqiptarë.

Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Interpol Tiranës dhe homologëve, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimin e tyre në vendet ku ata duhet të vihen përpara përgjegjësisë penale, janë ekstraduar në Shqipëri, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafikim të lëndëve narkotike, konkretisht:

-si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Wiesbaden, u ekstradua shtetasi E. D., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin e datës 28.06.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasi E. D. akuzohet se gjatë periudhës janar 2018-dhjetor 2022, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte sasi të mëdhaja droge, në Danimarkë, Suedi, Norvegji, Holandë dhe Gjermani.

-si rezultat i bashkëpunimit me Interpol Athinën, u ekstradua shtetasi V. H. alias V. H., 43 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës se Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 24.07.2019, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shtetasi V. H akuzohet se më datë 30.03.2018, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka tentuar të trafikojë lëndë narkotike cannabis sativa, drejt Greqisë.