Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) i kërkon Universitetit të Tiranës të lëshojë menjëherë diplomat e studentëve të Fakultetit Ekonomik, të cilat nuk janë dhënë deri më tani për shkak të konflikteve të brendshme mes dekanatit dhe rektoratit.
Në një njoftim të shpërndarë për mediat bëhet me dije se studentët kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi, kështu që nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT.
“MASR nënvizon se e drejta e studentëve prevalon mbi çdo mosmarrëveshje të brendshme të UT që ka shkaktuar këtë vonesë të papranueshme në diplomimin e studentëve.
Gjithashtu, bëhet me dije se nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës janë nënshkruar disa nga diplomat, që numrat e matrikullimit të studentëve janë lëshuar me të njëjtën procedurë sikurse ajo e kundërshtuar nga Rektori i UT, i cili është një veprim selektiv dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.
Përfundimisht, MASR kërkon pajisjen e studentëve që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike me diplomat përkatëse, menjëherë!”, thuhet në njoftimin e MASR.
Prej 1 viti, 315 studentë të Fakultetit Ekonomik nuk pajisen dot me diploma për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme në Universitetin e Tiranës.
Studentët i kishin lënë një afat prej 10 ditësh rektoratit që të firmoste diplomat e tyre, duke kërcënuar se do ta ndiqnin çështjen në gjykatë.