Fillimi i javës së ardhshme do të jetë prova nëse forcat politike në vend dhe faktori ndërkombëtar do arrijnë t’i japin zgjidhje ngërçit politik për të zhbllokuar së paku Reformën në Drejtësi dhe në mënyrë konkrete procesin e vettingut.
Më datë 6 mars Kuvendi duhet të ketë ngritur komisionin ad hoc me gjashtë anëtarë, të ndarë në mënyrë të barabartë midis shumicës dhe pakicës parlamentare, ndërkohë që ONM duhet brenda ditës së nesërme t’i ketë dorëzuar Avokatit të Popullit listat me kandidatët që plotësojnë ose jo kriteret ligjore dhe morale për të vijuar garën për të qenë pjesë e institucioneve të vettingut.
Situatë ka shumë pak mundësi të zgjidhet, pasi opozita është shprehur e vendosur që të mos kthehet në parlament për të ushtruar të drejtën për të propozuar anëtarët e vet në këtë komision.
Nga ana tjetër, delegacioni i Bashkimit Europian në vendin tonë, pavarësisht se nuk etiketoi emra të veçantë, ka denoncuar se një pjesë e politikës dhe medias të angazhuar në një fushatë për të delegjitimuar vettingun.
Ndërsa drejtuesja e ONM-së në vendin tonë, i ka kthyer po gjatë ditës së djeshme përgjigje shqetësimeve të ngritura nga ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili, mbi rolin e Bordit të ONM-së, i cili sipas saj nuk duhet të përbëjë shqetësim për askënd, pasi ai do ketë thjesht një rol monitorues dhe jo ekzekutiv.