Opinione A do të kemi divorc PS-LSI?

A do të kemi divorc PS-LSI?

Njerëzit që janë në çadrën para selisë kryeministrore kanë tashmë vetëm një shpresë: divorcin politik mes forcave qeverisëse dhe rikthimin e Ilir Metës, si një bir plangprishës tek shtëpia e vjetër e Shqup-asve. Përtej saj, nuk kanë asnjë ide tjetër, pavarësisht fjalëve zëmëdha të huazuara nga një fushatë e largët, përtej oqeanit, që nuk ka asnjë lidhje me atë çka ndodh në çadrën opozitare.

Duke mos pasur asnjë ide të vetme, diçka të ndryshme nga ajo që kemi parë e dëgjuar në këto 27 vite sorollatje demokratike, Basha dhe grupi i skifterëve pranë tij pret padurueshëm të bjerë sipari i aleancës së sotme qeverisëse dhe të fillojë një dramë tjetër, ku ata të jenë rishtas të pranishëm si aktorë kryesorë.

Për të qenë e arritshme drejt Metës, po hedhin edhe kulaçë dhe kërbaçë duke pritur se cila prej tyre do e prekë liderin e së mesmes së artë, pa të cilin në 12 vitet e fundit nuk ka pasur as qeveri e as opozitë.

Kulaçët hidhen kur ndonjë ministër ose ish ministër i tij hedh vickla ose dërgon letra për të gjetur një shkak në deformimin e vettingut apo keqdashjen e qeverisjes. Duket se ka një trajektore të përbashkët në mohimin  ose, më saktë, në kthimin pas të Vettingut, duke e rihartuar sipas një dëshire të re që duket se thotë shumë, por mohon gjithçka. Kjo dëshirë e përbashkët lind edhe pritjen e paduruar të PD-së për një shkoklim (zgjidhje) të qeverisjes dhe ndërtimin e një qeverie teknike, e cila, duke mos qenë as mish e as peshk, do të mund të deformonte votën e qershorit 2017.

Kulaçët hidhen edhe kur duket se një lojë e dyanshme, prokurori – LSI, po ngutet të ndërtojë raporte të reja në parlament, të cilat, nëse do të ndodhë ndonjë rrokopujë, do ia bënin të pamundur vazhdimin e qeverisjes Edi Ramës dhe koalicionit të shkërmoqur të tij.

Kërbaçi hidhet kur Meta deklaron se, edhe pse e mbështet idenë e protestës, vendi i opozitës është në qeverisje dhe vazhdon të jetë pjesë e qeverisë.

Kërbaçi hidhet kur padurimit berishian ia zë vendin gjuha e hidhur dhe shpesh herë rrugaçërore e ish-shefit të qeverisë, liderit real të opozitës, që edhe pa qenë në çadër, e dirigjon krejt çka ndodh në atë vend të mbuluar.

A është e interesuar LSI të prishë koalicionin dhe të ndërtojë një front të ri, të tretë, ose edhe të bashkohet me frontin e dikurshëm, të cilët e ndjejnë veten në luftë dhe në këtë rast u shkon për shtat fjala front?

A do të ketë një tjetër 1 prill në politikën shqiptare?

E vështirë të ndodhë!

LSI dhe Ilir Meta janë më të aftët në zgjidhjen praktike të gjërave. Shkëputja nga lidhja ku janë tani nuk është e dobishme për vetë ndërtimin e partisë së tyre, me një lidhje të fuqishme mes idesë së bashkësisë dhe punës, mes idesë së të qenurit një strukturë mjaft e ndërlidhur me faktin se afishimi në këtë forcë politike është edhe më shumë se në një parti të zakonshme.

Numri aktual i deputetëve të LSI-së, që edhe mund të shtohet nga rrjedhat e politikës prokuroriane, është më i larti që mund të ketë. Pozita e saj është më tepër se komode. Bashkëjetesa me partinë nga ka rrjedhur, por duke ruajtur një fizionomi të vetën, është më e lirshme dhe më e besuar. Bashkimi edhe një herë me opozitën aktuale për të bërë një shumicë qeverisëse është gjithnjë e dyzuar dhe mes dyshimit nëse mund të bëhen shumicë apo të ngelin dy pakica me njëra-tjetrën. Nëse LSI nuk ka më këtë forcë politike dhe qeverisëse në të gjithë hallkat e shtetit, do të shkëputet njëra nga ndërlidhjet e saj me njerëzit.

Ilir Meta është njëri i pragmatizmit. I anuar nga e majta, ai më mirë se gjithë të tjerët bashkë, e di se as në anën e majtë dhe as në të djathtën, nuk e duan shumë, ose më saktë, e duan nga e keqja. Herë pas here edhe ai i do nga e keqja.

Jo të gjithë në partinë e tij janë të imunizuar nga e djeshmja korruptive. LSI, si edhe forcat e tjera politike që kanë qëndruar gjatë në qeveri, janë kthyer dalëngadalë në oligarki politike, por njerëzit e saj, në jo pak raste, kanë mbi vete edhe dyshimin e pasurisë së ngritur. Të jesh jashtë qeverisjes do të thotë për të një shkak më tepër për të qenë objekt i një rishikimi të ashpër. Të paktën kështu ka ndodhur deri tani.

PS, po ashtu, nuk është e interesuar për ndarjen, të paktën për ndarjen e parakohshme. Me LSI ata qeverisin lehtësisht dhe miratojnë të gjithë ata ligje që kërkojnë atë numër votash sa ka edhe koalicioni i tanishëm qeverisës.

Edi Rama nuk do të ketë kokëçarje të tjera në këtë prag qershori, por do të ishte naiv i madh politik nëse nuk e parashikon se mund të ndodhë edhe e pandodhura, që dikur ka ndodhur.

Është një lojë e vështirë. E rëndë për të tjerët, e lehtë për ata që janë brenda saj.

Ndërkohë në një çadër lufte presin haberin e prishjes së madhe.

Nëse vjen, çadra do të hiqet, festa do të fillojë, do të ngjallen shpresat dhe qoftet e Ed Halimit do të bëhen biftekë të një farë Mulleti, që dhuron pa të keq edhe 200 mijë euro me një dorë për një djalë kryeministri.

Nëse haberi i pritur i prishjes nuk vjen, atëherë çadra do të jetë edhe disa ditë, ndoshta edhe një muaj, në fund të gjithë do të thërrasin fitore fillimisht e pastaj do të zihen përsëri me hajdutë dhe fitimtarë.

Një histori që përsëritet, por kësaj here, për herë të parë ndodh që fitoren ta presësh nga një dhuratë e kundërshtarit.