Aleksandër Vuçiç e forcoi pushtetin e tij në Serbi, pasi partia e tij e siguroi një mandat të ri qeverisës nga zgjedhjet parlamentare të së dielës.
Fitorja “e qartë, e padiskutueshme dhe bindëse”, siç e përshkroi Aleksandar Vuçiç rezultatin e zgjedhjeve të së dielës, u pa me shqetësim nga ndërkombëtarët, për shkak se vëzhguesit e pavarur evidentuan shumë parregullsi në proces. Presidenti serb mori reagimin e BE-së dhe të Gjermanisë se “kjo është e papranueshme për një shtet që e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim”.
Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Serbisë që të hetojë parregullsitë e raportuara gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit.
“Pretendimet për parregullsi të raportuara nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] dhe ekipi vëzhgues duhet të hetohen dhe dhuna ndaj zyrtarëve zgjedhorë, gazetarëve dhe vëzhguesve të akredituar, për të cilën kemi parë njoftime, janë të papranueshme dhe do të vazhdojmë t’ia bëjmë të qartë Serbisë këtë gjë”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Bashkimi Europian tha se ka pasur parregullsi gjatë zgjedhjeve në Serbi dhe se presin që në Beograd do t’i shqyrtojnë raportet e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell sot lëshoi një deklaratë të përbashkët me komisionarin për Zgjerim, Oliver Varhelyi për këtë çështje.
“Ne marrim parasysh gjetjet preliminare dhe konluzionet e vëzhguesve ndërkombëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë dhe Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut për zgjedhjet parlamentare serbe. Në dritë të këtyre gjetjeve, me shqetësim ne vijmë në përfundim se procesi zgjedhor ka nevojë për përmirësim dhe reforma të mëtejme, pasi që funksionimi i duhur i institucioneve demokratike të Serbisë është thelbi i procesit të pranimit të Serbisë në BE”, thuhet në reagimin e BE-së.
BE i kërkoi Serbisë dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës me të gjithë spektrin politik.
Edhe zëdhënësja e Komisionit Europian, Ana Pisonero tha se KE është shqetësuar për procesin zgjedhor në Serbi, “duke konsideruar se funksionimi i duhur i institucioneve demokratike është kushti kryesor për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian”.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) evidentuan parregullsi të shumta në këto zgjedhje.
Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë tha se këto parregullsi janë “të papranueshme”, për një shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Serbia ka votuar, por Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR) kanë raportuar për abuzime të burimeve publike, frikësim të votuesve dhe raste të blerjes së votave. Kjo është e papranueshme për një shtet që e ka statusin e vendit kandidat për anëtarësim”, u tha në reagimin e Ministrisë gjermane në “X”.
Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut tha se zgjedhjet në Serbi u përcollën me parregullsi serioze, keqpërdorim të fondeve publike, dominim medial të presidentit të shtetit, Aleksandar Vuçiç, fushata negative dhe përhapje të frikës.
“Këto janë probleme serioze që institucionet duhet t’i adresojnë dhe hetojnë seriozisht, në mënyrë që të krijohen kushte për zgjedhje të drejta dhe demokraci më të fortë në Serbi, në të ardhmen”, tha OSBE-ja në një konferencë për media të hënën.
Përfaqësuesit e vëzhguesve ndërkombëtarë thanë se kanë vërejtur votime në grup, shkelje të privatësisë së votës dhe se kanë parë “parregullsi serioze, përfshirë blerje të votës”.
Një numër i madh i serbëve protestuan të hënën në qendër të Beogradit, duke kërkuar anulimin e zgjedhjeve në kryeqytetin serb. Protesta u thirr nga koalicioni opozitar “Serbia kundër dhunës”, që e akuzon pushtetin se fitoi në Beograd me vjedhje të votave. Thanë se kanë “dhjetëra mijëra prova” për rishkrimin e vullnetit elektoral të qytetarëve.
Rezultati i zgjedhjeve lokale në Beograd nuk e pasqyron vullnetin e lirë të votuesve që jetojnë atje, për shkak të shkallës dhe llojit të keqpërdorimeve zgjedhore gjatë votimit më 17 dhjetor, vlerësoi të hënën vëzhguesi zgjedhor serb, CRTA. Drejtori i CRTA-s, Rasha Nedeljkov tha se rezultatet e zgjedhjeve “janë kompromentuar”.
Mediat ndërkombëtare kishin shkruar se Vuçiç, i cili vendosi vetë për zgjedhje të parakohshme, frikësohej, sidomos pas një lëvizjeje protestuese në Beograd kohët e fundit. Ai ndodhet nën presion dhe ndërkombëtarët presin reagim pozitiv në drejtim të normalizimit të raporteve me Kosovën.