Azia po përballet me një valë të dytë përhapjeje të koronavirusit të ri. Koreja e Jugut, Kina dhe Singapori regjistruan më shumë të infektuar që vinin nga jashtë se sa raste të reja brenda vendit.
Kina, epiqendër e përhapjes së COVID-19, konfirmoi se nuk kishte asnjë rast të ri, për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë. Megjithatë raportoi 34 të infektuar, të gjithë ishin kthyer kohëve të fundit nga jashtë.
Singapori regjistroi 47 raste të reja me COVID-19, 33 prej të cilëve kishin ardhur nga jashtë vendit. E njëjta situatë raportohet dhe në Korenë e Jugut: shifrat pësuan një rritje të ndjeshme me 152 raste të reja me koronavirus.
Megjithatë mbetet i paqartë numri i të infektuarve që vinin nga jashtë. Japonia duket shteti që po menaxhon më mirë këtë pandemi. Vetëm 3 raste të reja u regjistruan gjatë të mërkurës dhe qeveria po mendon të heqë gjendjen e emergjencës të shpallur në Hokkaido, rajoni më i prekur me 154 të infektuar në total.