Shtëpia e më shumë se 1.2 miliardë njerëzve, India është një kaleidoskop i gjuhëve, besimeve dhe praktikave të ndryshme fetare. Vendi ka të paktën nëntë fe të njohura, përfshirë islamin, budizmin, krishterimin, sikizmin, jainizmin dhe disa besime të tjera popullore.
Një pasqyrë e këtij diversiteti fetar të vendit, janë dhe tempujt e shumtë të pazakontë, që gjenden në të gjithë vendin. Disa prej tyre datojnë shekuj më parë dhe të tjerë janë një mrekulli moderne arkitekturore.
Sipas CNN Travel, këta janë tetë tempujt më të bukur në Indi:
Tempulli Vaishno Devi
I vendosur rreth 5300 metra mbi nivelin e detit në Indinë Veriore, tempulli Vaishno Devi tërheq afërsisht 8 milionë pelegrinë çdo vit. Zakonisht, në tempull arrihet në këmbë përmes një shtegu 12 kilometrash dhe udhëtimi zgjat rreth gjashtë orë. Vizitorët atje janë të rrethuar nga një peizazh i mrekullueshëm i pyjeve të dendura dhe maleve.
Tempulli i Artë
Një tempull tjetër ky i famshëm në Indinë Veriore, që e merr emrin nga fasada e tij e shndritshme, e cila thuhet se është e mbuluar me fletë ari të pastër. Tempulli i shekullit të XVI konsiderohet vendi kryesor i adhurimit të fesë sik. Si i tillë, është e zakonshme për adhuruesit të bëjnë pelegrinazh të paktën një herë në jetë. Brenda, vizitorët do të gjejnë piktura shumëngjyrëshe dhe mozaikë të ndryshëm.
Tempulli Tirumala Tirupati Balaji
I vendosur mbi kodra të pyllëzuara në Indinë Juglindore, tempulli, i cili besohet se daton që në shekullin e IV, mirëpret më shumë se 40 milionë vizitorë në vit. Për hyrjen në sallën kryesore, është më mirë të rezervohen bileta në internet, pasi ky është një nga vendet fetare më të frekuentuara në Indi.
Tempulli Swaminarayan Akshardham
Një shembull befasues i arkitekturës indiane, Swaminarayan Akshardham, në Delhi është tempulli më i madh hindu në botë. Megjithëse duket e lashtë, struktura u përfundua në 2005, por u ndërtua sipas stilit tradicional. U deshën pesë vjet dhe 11 000 artizanë për të punuar për tempullin.
Tempulli Lotus
Një tjetër bukuri moderne është tempulli Lotus, i cili mirëpret afërsisht 10 000 vizitorë në ditë. I ndërtuar në 1986, tempulli ka formën e një lotusi në lulëzim, simbol ky i pastërtisë. Duke ndjekur besimet Bahá’í, ku numri nëntë lidhet me unitetin, tempulli ka një total prej nëntë pellgjesh.
Tempulli Mahabodhi
Konsiderohet si një nga vendet më të rëndësishme në fenë budiste, si i tillë tërheq pelegrinë nga e gjithë bota. Rindërtuar në shekullin e V, siti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është i ndërtuar përmes gurit ranor të bardhë dhe rozë, si dhe gravurave të ndërlikuara.
Tempulli Meenakshi
Përvoja në tempullin e shekullit të parë, në Indinë Juglindore, fillon me një hyrje që të lë pa frymë. Katër kulla të mëdha të zbukuruara me qindra-mijëra skulptura shumëngjyrëshe dhe të zbukuruara të hyjnive, kafshëve dhe demonëve, janë shndërruar në një muze historie dhe arti.
Tempulli Brihadisvara
Pjesë e një kompleksi tempujsh të renditur në UNESCO, Brihadisvara është një nga tempujt më të mëdhenj në Indinë Jugore. “Tempulli i madh”, siç njihet ndryshe, i ndërtuar me anë të një strukture të ndritshme të gurit të artë, është i pasur me afreske antike, gdhendje dhe skulptura të ndryshme.