Bashkëshorti i ambasadores suedeze në Tiranë, Elsa Hastad, e cila mbyll misionin e saj në Shqipëri, ishte i ftuari i radhës i kryeministrit Edi Rama në podcast-in e tij.
Christof Landor që është shkrimtar tregoi jo pak për veten e tij, por sigurisht edhe për qëndrimin në vendin tonë. I pyetur nga Rama se cila është gjëja më e mirë në Shqipëri, ai u përgjigj shkurt “shqiptarët”, duke na përshkruar si njerëz mikpritës dhe me zemër të ngrohtë.
“Gjëja më e mira e Shqipërisë, pa dyshim janë shqiptarë. Malet janë fantastikë, ushqimi është i mrekullueshëm, por për mua janë shqiptarët. Ju jeni njerëz të ngrohtë, njerëz që doni të argëtoheni, jeni të zgjuar dhe është argëtuese të rrish me ju. Dhe për një njeri që jeton me ritëm të ngadaltë, është çliruese të jesh këtu”, tha ai.
I pyetur nga Rama për një përgjigje të sinqertë se çfarë nuk i pëlqen nga Shqipëria dhe shqiptarët ai tha:
“Jeni njerëz me zemër të ngrohtë dhe miqësore. Por më krijohet përshtypja që jeni shumë miqësore me të huajt, por jo me njëri-tjetrin. Problem më i madh në shoqërinë shqiptare është mungesa e besimit në të gjithë nivelet, mes individëve, institucioneve e shoqërisë. E shikon në ditën e përditshme, në trafik, secili do të kalojë i pari. Kjo është një pengesë e madhe. Është dhe pakujdesia me mjedisin, plehrat”, veçoi ai.
“Nuk jemi vetëm të mirë me të huajt, por me miqtë është një detyrim që e kemi të trashëguar. Është më shumë në ADN tonë”, iu përgjigj Rama.
I pyetur mbi vendet që preferonte më shumë në Shqipëri, Landor përmendi Shpellën e Pëllumbasit, ku tha se ka qenë jo pak, por plot 20 herë. Po ashtu ai tha se vend që i ka lënë mbresa është edhe Himara dhe Qafa e Llogorasë.
“Është shpella e Pëllumbasit, kam qenë atje 20 herë dhe kemi qenë 2 herë në Theth e Valbonë. Veriu është fantastik. Por më pëlqen deti dhe vendi im i preferuar është Himara dhe rruga atje përmes Qafës së Llogorasë”, u shpreh ai.