Kryesore “Kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën”, Albin Kurti refuzon idenë e...

“Kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën”, Albin Kurti refuzon idenë e Edi Ramës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në vend që të mbahet një konferencë ndërkombëtare për Serbinë dhe Kosovën, e propozuar nga kryeministri shqiptar Edi Rama, duhet të zbatohet plotësisht Marrëveshja Themelore.

“Kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tani e kemi Marrëveshjen Themelore nga Brukseli nga 27 shkurti dhe aneksin për zbatim nga Ohri nga 18 marsi. Gjithçka që duhet bërë është që Marrëveshja Themelore të zbatohet pa diskutim në tërësinë e saj, në mënyrë të drejtë dhe të balancuar. Duhet të bëhet dhe ne jemi të përkushtuar për këtë në Bruksel në takimet që kemi”, u tha ai gazetarëve në Prizren.

Rama propozoi më herët organizimin e një konference ndërkombëtare të nivelit të lartë për të gjetur një zgjidhje për krizën në Kosovë.

Michel mbështeti propozimin e Ramës

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, mbështeti idenë e organizimit të një konference me disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian, “për të mbështetur përpjekjet ndërmjetësuese, së bashku me SHBA-në, sepse kemi parë vështirësitë dhe përshkallëzimin të situatës”.

“Ka ardhur koha për të bërë një qasje globale dhe ka ardhur koha për të ndërmarrë hapa drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Michel.