Të paktën nëntë persona, anëtarë të komunitetit shqiptar në Amerikë kanë humbur jetën për shkak të koronavirusit.
Lajmin e ka bërë të ditur ambasada jonë në Shtetet e Bashkuara. Përmes një deklarate në rrjetet sociale thuhet se tre prej viktimave janë nga Shqipëria, katër nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Mali i Zi.
“Të paktën nëntë anëtarë të komuniteti shqiptarë kanë humbur jetën, tre nga Shqipëria, katër nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Mali i Zi. Ambasadorja gjen rastin të shprehë ngushëllimet për familjet dhe të afërmit e viktimave”.
Në deklaratë thuhet se janë të paktën 30 anëtarë të tjerë nga komuniteti shqiptar që janë të sëmurë. Një pjesë e tyre po e kalon nga shtëpia, ndërsa të tjerë janë shtruar në spital.
“Mbi tridhjetë anëtarë nga komuniteti ynë janë evidentuar në faza të ndryshme të sëmundjes. Me disa prej tyre është komunikuar drejtpërdrejtë në telefon, të cilët kanë informuar se simptomat e sëmundjes janë të rënda, por fatmirësisht të kalueshme në kushte shtëpie. Bazuar në informacione, individët trajtohen në spital vetëm kur janë në gjendje tepër kritike dhe kanë probleme me frymëmarrjen dhe kërkohet mbështetja e tyre me respiratorë”, thuhet në deklaratë.
Ndërkohë mësohet se komuniteti shqiptaro-amerikan është organizuar me grupe vullnetarësh në ndihmë të të moshuarve të cilët nuk mund të dalin dot nga shtëpia.
Një tjetër problem mbetet edhe ekonomia. Sipas ambasadores Floreta Faber një pjesë e madhe e komuniteti kanë humbur vendet e punës. Situata më shqetësuese mbetet në Nju Jork dhe Nju Xhersi.