Në shekullin ku jetojmë, udhëtimet gjithnjë e më shumë po marrin dimensionin e argëtimit, më shumë se sa një domosdoshmëri për të kryer nevoja themelore të jetesës.
Në vijim të këtij trendi, familjet e pasura shpenzojnë për udhëtime gati një të dhjetën e buxhetit të tyre dhe shumë më tepër se shtresat e tjera të popullsisë.
Sipas të dhënave të INSTAT, familjet në 20 përqindëshin e sipërm me të ardhurat më të larta çuan 8% të shpenzimeve totale më 2019 për shërbimet e transportit. Të pasurit shpenzojnë 4 herë më shumë se të varfrit për udhëtime dhe gati 60% më shumë se shtresa e mesme.
Familjet e varfra çojnë për shpenzimet e transportit vetëm 2.2% të buxhetit të tyre mujor, ndërsa kjo kategori shpenzimesh nis e rritet në nivelet më të larta të të ardhurave.
Për familjet me nivel të lartë jetese, transporti është komponenti më i rëndësishëm i shpenzimeve pas konsumit të ushqimeve. Kjo kategori çon për ushqime 32% të buxhetit, ndërsa shpenzimet e transportit vijnë të dytat, me 8%. Pas ushqimeve dhe transportit, familjet me të ardhurat më të larta në vend shpenzojnë më shumë për restorante dhe hotele me 7,2% të buxhetit të tyre mujor, dhe të njëjtën përqindje shpenzojnë edhe për mirëmbajtjen dhe faturat e shtëpisë.
Shqiptarët, në përgjithësi, përballen me kosto të larta të transportit, prej çmimeve të larta të biletave të linjave ajrore dhe çmimeve të larta të naftës.
Megjithatë, familjet në nivelin e sipërm të të ardhurave kanë strukturë konsumi të ngjashme me të varfrit, ku gati një e treta e buxhetit mujor shkon për konsumin e ushqimeve. Struktura e shpenzimeve mesatare e familjeve tregon nivelin e ulët ekonomik të vendit, përderisa 42% e buxhetit shkon për blerjen e u ushqimeve, ndryshe nga Europa ku familjet shpenzojnë mesatarisht 12% të buxhetit e tyre për ushqimet.
Familjet në Europën e zhvilluar kanë një tepricë më të madhe buxhetore për t’ia dedikuar udhëtimeve, komoditetit në shtëpi dhe argëtimit. Në Europë, transporti është grupi i dytë më i madh i shpenzimeve të familjeve me 13.2% të totalit, pas shpenzimeve për mirëmbajtjen e shtëpisë që zënë rreth 24% për totalit të shpenzimeve.
Në 2019, në njësitë familjare të përbëra nga një person i vetëm, grupi ushqim zë peshën më të madhe prej 44,8%, krahasuar me tipet e tjera. Pesha më e lartë për shpenzimet për transport është regjistruar në strukturën e buxhetit të familjeve të përbëra nga tre ose më shumë të rritur pa dhe me fëmijë, përkatësisht 6,5 dhe 6,4%. Në familjet e përbëra nga tre ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë, në varësi, pesha që zënë shpenzimet për arsim është më e lartë krahasuar me tipet e tjera./Monitor