Kosova “Të pranojnë takimin pa asnjë kusht”, BE ultimatum Kurtit e Vuçiç: Refuzimi...

“Të pranojnë takimin pa asnjë kusht”, BE ultimatum Kurtit e Vuçiç: Refuzimi ka pasoja

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje sërish kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që të ulen në bisedime.

BE i ka kërkuar dy liderve që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht, shkruan rel.

Kujtojmë se përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiçin për një takim gjatë kësaj jave në Bruksel, por që nuk ka marrë asnjë përgjigje pozitive.

BE ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

Presidenti i Serbisë ka refuzuar të takohet me Kurtin, por nuk e ka dhënë përgjigjen përfundimtare nëse nuk do të marrë pjesë në takim.

Sakaq Kurti tha këtë të hënë se do ta japë përgjigjen e tij pasi të vizitohen policët që mbahen në Kralevë dhe të shihet gjendja e tyre.

Zëdhënësi i BE, Peter Stano, tha se Borrell ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel “për të gjetur dalje nga kriza që po e shohim dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut”.

“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, tha Stano gjatë një konference për media.