Aktualitet “Të shtohen hetuesit e BKH”, Dumani: Shqiptarët, rol dominues në vendet e...

“Të shtohen hetuesit e BKH”, Dumani: Shqiptarët, rol dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës

Kreu i SPAK, Altin Dumani, prezantoi para deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe të Sigurisë Kombëtare, raportin vjetor për veprimtarinë e Prokurorisë së Posaçme

Ai tha se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira në tregjet ndërkombëtare, duke pasur një rol dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës.

“Disa gjetje të bëra nga prokuroria lidhur me tipologjinë e krimit të organizuar. Grupet kriminale shqiptare janë përfshirë në tregun ndërkombëtar të trafikimit të drogave të forta, duke pasur e kontrolluar trafikun në cikël të mbyllur dhe duke pasur pozicion dominues në vendet e origjinës së trafikut të kokainës. Këto grupe kriminale kanë një anëtarësi nga 10 deri në 15 personash, aktivitet polikriminal, nga trafiku i drogës te vrasjet me pagesë. Shqetësim është veprimtaria”, tha Dumani.

Më tej, ai paraqiti edhe disa shqetësime, duke kërkuar këtu shtimin e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

“Ne kemi paraqitur në raport disa shqetësime, siç është mungesa e përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit. Mungesa e këshilltarëve ligjorë. Mungesa e referimeve nga institucionet publike, shtimi i numrit të hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, numri i konsiderueshëm i procedimeve të mbartura, mungesa e kompetencave për shqyrtimin e kërkesave të autoriteteve të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale”, tha Dumani.