Rastësisht mora vesh se ditën e shënuar të 1 prillit, Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit shpalli konkursin “Libri i Karantinës”. E them rastësisht, sepse nuk hyj tek ata njerëz që ngulen përpara televizorit për të ndjekur lajmet pa pushim, sidomos në këtë periudhë. Kështu që për të shuar kureshtjen, hapa internetin dhe kërkova të dija diçka më shumë për këtë konkurs. Thjesht nga kureshtja dhe aspak për të marrë pjesë në të.
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës, si bashkorganizatore e këtij konkursi nuk kishte asnjë njoftim për këtë ngjarje. Ndërkohë, QKLL nuk ka ende një faqe zyrtare dhe të gjitha njoftimet në lidhje me punën e saj sa duket i zhvillon duke ua shpërndarë mediave elektronikisht. I vetmi njoftim për këtë qendër ishte ai i 16 janarit, ditën kur u bë publike hapja e saj. Në pikat e paraqitura, kishte vetëm fjalë të përgjithshme dhe asnjë axhendë të përcaktuar vjetore, çka do të thotë se puna është ende apatike, pa kalendar dhe buxhet të përcaktuar qartë. Dhe nëse ka dhe nuk është bërë publike, ky konkurs nuk ka qenë i përshirë deri në datën 1 prill, kur edhe u shpall. E duke mos qenë i përfshirë, atëherë kërkon kosto financiare shtesë, të cilat vijnë nga buxheti i shtetit nëpërmjet taksapaguesve shqiptarë. Të gjithë e dimë se vetëm pasi bëhet përllogaritja financiare e një projekti, burimet mbështetëse dhe impakti që ka ai, vendoset nëse do të realizohet dhe në se po, në cilën periudhë kohore. Qofsha i gabuar, por mendoj se edhe në këtë çast ende për të nuk është bërë një përllogaritje e cila do të vlerësojë punën që do bëhet në të gjitha hapat e saj.
Iniciativa të tilla, më shumë se sa kanë të bëjnë me letërsinë, ngjajnë me një “zë masash”, solidaritete më shumë politike që vijnë si përgjigje “flakë për flakë me realitetin”, gjë e cila më shtyn të mendoj se, larg qoftë, një ditë të bukur, QKLL do të na servirë edhe konkurse letrare me tema të tilla si “Libër për tërmetin”, “Libër për përmbytjet” (të cilat nuk është se nuk kanë ndodhur dhe nuk ndodhin në Shqipëri), “Libër për izolimin nga dëbora”, e të tjera. Ta kanalizosh letërsinë kështu nëpër konkurse të tilla, është sa absurditet po aq edhe tragjike.
Por le të kthehemi tek konkursi “Libri i karantinës”. Në të gjitha faqet elektronike ku ishte bërë njoftimi e që më dolën përpara ishte thuajse i njëjti tekst.
“Ditët e karantinës mund të jenë ditë frymëzuese për shkrimtarët, që tashmë kanë më shumë kohë për t’iu përkushtuar shkrimit. Historia e letërsisë botërore tregon për autorë që i shfrytëzuan kohët e izolimit për të shkruar kryevepra letrare. Nga Shekspiri, Çehovi, Bokacco, Pushkini, Tomas Manni etj kanë shkruar vepra të rëndësishme të krijimtarisë së tyre gjatë këtyre ditëve të vështira.”
Njoftimi i konkursit nis me një gjuhë sa ndjellëse po aq edhe patetike, e cila orienton shkrimtarët dhe lexuesin e thjeshtë se “ditët e karantinës mund të jenë frymëzuese për shkrimtarët, që tashmë kanë më shumë kohë për t’iu përkushtuar shkrimit.” Që në fjalën e tretë ndeshim në fjalën “mund”, e cila në vetvete shpreh dyzim. Pra, diçka edhe mund të ndodhë, por edhe nuk mund të ndodhë. T’ia thuash këtë një shkrimtari do të thotë që të mos kesh njohje fare në lidhje me procesin e shkrimit të një vepre letrare, duke harruar njëkohësisht se ngjarja, frymëzimi dhe shkrimi real i një vepre ndodhin gjithnjë në distancë kohore. Aq më tepër edhe botimi i një vepre të tillë.
Megjithatë, ecim më tej. Si shembuj, merren historia e letërsisë botërore dhe shkrimtarë të shquar si Shekspiri, Çehovi, Pushkini, Tomas Mani, etj, të cilët kanë shkruar vepra të rëndësishme të krijimtarisë së tyre “gjatë këtyre ditëve të rëndësishme.” Ky është ilustrim se edhe ata paskan shkruar në kohën e epidemive dhe janë frymëzuar prej tyre. (Të paktën nga teksti i shkruar, kuptohet pikërisht kjo gjë.) Me përjashtim të Bokaçios, i cili dihet se nga se u inspirua kur shkroi “Dekameronin”, cila është vepra e Shekspirit ku flitet për epidemitë? Po e Tomas Manit? Dhe nëse janë, a u shkruan ato për dyzet e pesë ditë, aq sa zgjat edhe konkursi i QKLL? Këta shembuj të marrë nga historia, janë thjeshtë legjenda dhe nuk kanë asnjë lidhje me epokën kur jetojmë sot.
Ecim më tej nëpër rreshtat e njoftimit.
“Të gjithë ju do të donit të kishit më shumë kohë për t’iu kushtuar librit. Tashmë e keni…” E kush është ai autor që nuk do të donte më shumë kohë për t’iu kushtuar librit? Natyrisht, në kushte normale çdo shkrimtar kërkon të ketë sa më shumë kohë dhe hapësirë. T’i thuash një autori shqiptar se tashmë e ka kohën, i bie që t’a zhveshësh atë nga gjithçka, nga të gjitha detyrimet familjare dhe sociale, nga përditshmëria, nga streset që burojnë edhe nga zhurma mediatike për pandeminë e koronavirusit, e plotë të tjera, e ta shndërrosh atë në qenie robotike, që ulet para skrivanisë të mbushur me libra, lap topit të vendosur mbi një tavolinë të thjeshtë, apo edhe një blloku që e mban mbi gjunjë dhe të derdhi djersë e mund duke shkruar vazhdimisht, njësoj si heronjtë e filmit “A nuk i vrasin edhe kuajt kështu?”. Duket sikur të gjithë shkrimtarët mezi kanë pritur të vendosej karantina dhe të ulen e të shkruajnë, dhe se këto fraza të shkruara në këtë njoftim janë pistoleta e startit të garës.
“Shfrytëzojeni për të shkruar këtë kohë për të shkruar librat që do të kishit dashur…” Çdo autor serioz ka ëndrra, pasionin, dëshirën dhe planin e tij. Por nuk mendoj se gjatë gjithë jetës ka pritur të vijë karantina që të ulet të shkruaj. Çdo autor ka procesin dhe mënyrën e vet dhe librat që do të kishte dashur, natyrisht që nuk mund t’i mbyllte brenda hapësirës së disa metrave katrorë. Shumë autorë, do të kishin dashur që librat e tyre, t’i shkruanin në Londër, në Romë, në Paris, Frankfurt apo Lisbonë, apo edhe në Korçë, në Prishtinë, a në një qytet tjetër, ku marrin jetë subjektet dhe personazhet e veprës. Ndoshta disa prej tyre, ende presin kohën e përshtatshme për të shkuar në këto vende po edhe në të tjera. Për më tepe, jo të gjithë autorët e gjejnë frymëzimin brenda shtëpive apo studiove. Mjaft syresh ulen për të shkruar në ndonjë kafene të preferuar, apo qoftë edhe në natyrë, në fashën orare që atyre iu duket e përshtatshme. Autorët janë qenie me shpirt të lirë, të cilëve nuk mund t’u tregosh se çfarë duhet të bëjnë dhe se ku dhe si duhet të shkruajnë.
“QKLL hap konkursin për veprën më të mirë të shkruar gjatë periudhës së karantinës nga autorë shqiptarë.” Kjo frazë nënkupton se vepra që do të paraqitet për konkurrim duhet të jetë e shkruajtur brenda kësaj periudhe dhe jo më herët. Po kush mund t’a verifikojë këtë, aq më pak që veprat do të dërgohen në dorëshkrim?
“Një juri e specializuar do të gjykojë dorëshkrimet tuaja.” Tashmë të gjithë autorët binden se një juri e specializuar, dhe nënkuptohet si e tillë edhe e paanëshme, do të gjykojë veprat e tyre. Ata binden se nuk do të ketë selektime, siç rëndom edhe ndodhin, por të gjithë bashkë do të përleshen në një luftë të fortë, ku do të fitojë më i miri. Kjo qenka vërtetë për t’u lavdëruar, sepse është hera e parë që ndodh në Shqipëri, e se tashmë i pritet rrugë çdo inati, intrige apo thashethemi. Tashmë, askush nuk do ketë të drejtë të thotë se “vepra ime është më e mira”, pasi ka se kush gjykon.
“Afati i dorëzimit deri në 15 maj 2020.” Që nga data 1 prill, kur u shpall konkursi e deri në përfundim, në datën 15 maj janë dyzet e pesë ditë. A mund të shkruhet një vepër e rëndësishme letrare për një afat kaq të shkurtër kohor? Dikush mund të thotë se edhe mund të të shkruhet, ndërkohë që veprat si proçes, që prej idesë fillestare e deri në botim, kërkojnë plot javë e muaj, për të mos thënë edhe vite, që ato të realizohen ashtu siç duhet. T’i thuash dikujt që të realizojë një vepër për një periudhë kaq të shkurtër, është njësoj si t’a vësh në rresht në aksion, thua se po korr apo magazinon grurin, hap një kanal, shtron me çakull një rrugë, ndërton një shtëpi të vogël, apo mbjell një pyll.
Është e pavend që të bëhen edhe krahasime me të kaluarën, mentaliteti i së cilës ekziston ende në shoqërinë shqiptare.
Ndërkaq në njoftim nuk thuhet, nëse vepra duhet të jetë e redaktuar dhe e korrektuar, ashtu siç duhet. Ky është një proces i rëndësishëm, të cilin nuk mund t’a bëjë asnjë autor vet, sado i talentuar që mund të jetë. Këto procese, janë pjesë e punës në grup që bëhet për botimin e një vepre letrare, për të cilat punojnë persona të caktuar. Nuk thuhet në njoftim, nëse në lidhje me mungesën e normave të drejtshkrimit autorët do të penalizohen apo eleminohen. I bie që anëtarët e specializuar të jurisë, të kenë fatin e keq që të gjykojnë mbi vepra me gabime drejtshkrimore, apo edhe me gabime stilistikore.
“Dorëshkrimet të nisen në adresën: [email protected].” Duke ardhur drejt fundit shohim se QKLL, si institucion i rëndësishëm kulturor, nuk paska ende një adresë me domein zyrtar. Ndoshta nga që Google, ka më shumë hapësirë të kapaciteteve mbajtëse. Diku në një sajt (gazetasi.al) më bëri përshtypje se “Dorëshkrimet të nisen në adresën: [email protected].” ishte zëvendësuar me: “Dorëshkrimet të nisen në adresën: [email protected].” Kjo nuk është aspak korrekte, pasi kushdo që të jetë personi në fjalë, nuk mund të merret për bazë besimi kur bëhet fjalë për një konkurs të rëndësishëm, ku, nga njoftimi i bërë publik, është përfshirë edhe Ministria e Kulturës. Kësaj i thonë të vendosësh personin përpara institucionit, pavarësisht se kush mund të jetë ai. A janë menduar në këtë rast “gabimet njerëzore”, që mund të ndikojnë drejtpërdrejt tek autorët pjesëmarrës në konkurs?
Në njoftim, organizatorët bëjnë me dije se nga të gjitha dorëshkrimet fituesi do të jetë vetëm një dhe se vepra fituese do të botohet nga QKLL. A ia vlen të bëhet një konkurs për një fitues? Nëse do të kemi treqind autorë pjesëmarrës, çfarë do të ndodhë me ato vepra që nuk fitojnë? Kush do ta ruajë sekretimin dhe sa të mbrojtura janë ato prej abuzimeve të mundshme? Kjo e fundit mund të ndodhë fare mirë, pasi asnjë dorëshkrim që do të paraqitet nuk do jetë i mbrojtur me kod apo me ISBN.
Në njoftim gjithashtu nuk flitet fare për kritere, se cilat do të jenë gjinitë letrare për të cilat zhvillohet ky konkurs. Duke qenë kështu, si mund të gjykohet fitues vetëm një autor, i cili do të paraqitet në një gjini të caktuar? Duam apo nuk duam, juria e nderuar, emrat e të cilëve nuk i dimë, do të jetë subjektive në gjykimin e vet, pasi afërmendsh romani do të vlerësohet përpara poezisë apo gjëegjëzës.
Le të ndalemi tek një pikë e rëndësishme. Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit do të marri përsipër botimin e veprës fituese. Bukur deri këtu. Por, askund nuk bëhet e ditur se sa do të jetë tirazhi i kësaj vepre, kush do të bëj punën teknike dhe sa kohë do të zgjasë kjo, ashtu siç nuk bëhet e ditur se si do të bëhet shpërndarja e veprës dhe se kujt kategorie do t’i adresohet. A do të jetë ky libër në të gjitha libraritë e vendit? Nëse po, atëherë të gjithë librarët duhet të përgatiten që ta blejnë këtë libër me faturë tatimore, me qëllim që të kenë të drejtë për ta tregtuar për lexuesin e thjeshtë. Por në kushtet e sotme, askush nuk i detyron dot librarët të tregtojnë një libër të caktuar. Po kështu, edhe bibliotekat, megjithëse me bibliotekat shteti bën si bën. Atëherë i bie që kjo vepër të shpërndahet nëpër shkolla, apo në rastin më të keq të mbyllet e paketuar në magazinat e shtetit.
E dhimbshme nëse një vepër do të pësojë këtë fat.
Në këtë njoftim të QKLL, nuk parashikohet se kur jepen rezultatet këtij konkursi letrar, çka do të thotë se askush nuk ka të drejtë të kërkojë përgjigje për atë që ka paraqitur dhe se askush nuk mban përgjegjësi të përgjigjet saktë për një inisiativë, e cila në çdo vend normal do të zhvillohej në rreptësinë dhe korrektesën më të lartë. Mos përcaktimi i mbylljes së konkursit me të gjitha fazat e tij, më kujton konkurset e pambarimta, të cilit nisin në një vit, e përfundojnë pas një apo dy vitesh. Historia botërore na tregon, gjithnjë tashmë si legjenda, se konkurset janë mbyllur edhe pas disa viteve! Larg qoftë që edhe ky konkurs të mbyllet përfundimisht pas shumë kohësh, atëherë kur të kemi harruar edhe karantinën ku na detyroi të hynim koronavirusi.
Për hir të së vërtetës, ky konkurs më kujtoi edhe një herë motot e famshme të socializmit “Flakë për flakë me realitetin” dhe “Përpara për fitore të reja”, apo konkurset e asaj kohe ku dominonin temat e caktuara, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me Letërsinë e vërtetë.
KLITON NESTURI
Tiranë, prill 2020