Në dosjen voluminoze të SPAK zbulohen detaje se si kryheshin tenderat nga Bashkia e Lushnjes. Sipas SPAK, drejtori i Ndërmarrjeve Publike në Bashkisë Lushnje, Ibrahim Lami, ka ndërhyrë në tenderat e bashkisë duke bashkëpunuar me kushëririn e tij Bujar Murati, i cili është administrator i një firme që merrte tendera nga bashkia.
“Biseda e zhvilluar në datë 23.09.2020 ora 5:50:48, midis shtetasit Bujar Murati (administrator i firmës fituese të prokurimit) dhe Ibrahim Lami, njofton se këta shtetas janë kushërinj me njëri-tjetrin. Shtetasi Ibrahim Lami, sikuese do të rezultojë në vijim të bisedave të përgjuara, rezulton lidhje shoqërore e shtetasve Fatos Tushe me detyrë kryetar i Bashkisë Lushnje.
Pavarësisht se fitues i prokurimit “Për rehabilitimin e kanalit ujitës U3-27, V-1/1 në fshatin Bishqethëm dhe Bitaj, Njësia Administrative Kolonjë”, ka dalë firma Euro-Alb sh.p.k. me administrator shtetasin Bujar Murati (kushëri i shtetasit Ibrahim Lami), të dhënat e përftuara njoftojnë se punimet janë kryer nga subjekti Ibrahim Lami.
Biseda e mëposhtme konfirmojnë kryerjen e punimeve nga subjekti Ibrahim Lami, si dhe flitet për ankesat e depozituata nga firma “Avdyli” sh.p.k. Në bisedë shfaqet dhe kujdesi nëse bisedën duhet ta bënin në telefon apo në Whatsapp“, është ky sqarimi i Prokurorisë së Posaçme.
Bujar Murati: Urdhëro se mos je i zënë…
Ibrahim Lami: Kusho ç’a bën?
Bujar Murati: U ktheve nga Berati apo jo?
Ibrahim Lami: Po, po u ktheva, sa kam çuar çunin në futboll, ku je tani?
Bujar Murati: Tani dy pyetje të vogla kam, a të të marr në Whatsapp apo këtu se nuk ka ndonjë gjë.
Ibrahim Lami: Jo ore po fol se për punën po flasim ne çfarë të duam.
Bujar Murati: Tani atë kontratën mes meje dhe teje si do e bëjmë ne…
Ibrahim Lami: Do e bëjmë me nënkontraktim siç kemi rënë dakord, ti mi pret mua unë ja pres shtetit.
Bujar Murati: Në rregull, tani ata mi presin mua faturat.
Ibrahim Lami: Ata të inerteve, po ty do ti presin, jo se dhe mi pret mua nuk ka ndonjë gjë të keq, më mirë se na ndihmon pak, por ti merri sikur je duke punuar vetë o shok, a kupton, se ti i merr dhe justifikon TVSH-në tënde dhe mi kalon mua.
Bujar Murati: E mirë, mirë.