Aktualitet “Është çuni i shefit, mbushe atë me tre 8”, zbardhen përgjimet si...

“Është çuni i shefit, mbushe atë me tre 8”, zbardhen përgjimet si vidhej karburanti nga Bashkia e Lushnjes

Në dosjen e SPAK për arrestimin e kryebashkiakut të Lushnjes Fatos Tushe dhe 10 zyrtarëve të tjerë në këtë qytet, janë evidentuar raste të shumta korrupsioni dhe shpërdorim detyre.

Në një episod, është evidentuar edhe shpërdorimi i karburantit të shtetit, me të cilin furnizoheshin persona të ndryshëm të njohur të kryebashkiakut Fatos Tushe dhe Flamur Peqinit, drejtori i Ndërmarrjes së Pasurisë Publike në Bashkinë Lushnje.

Ky i fundit bisedon shpeshherë me punonjësin e karburantit të cilin e udhëzon për t’i furnizuar me naftë makinat e personave të tjerë, ndër të cilët edhe djali i Fatos Tushes.

Dosja

Dyshohet se Peqini, i udhëzuar edhe kryetari i Bashkisë, Fatos Tushe, përveç furnizimit të automjeteve të institucionit ku punon, furnizon dhe automjete të tjera që nuk janë pjese e institucionit, por i furnizon nga limiti i karburantit të destinuar për t’u përdorur për nevoja pune, duke shpërdoruar detyrën e tij. Një prej këtyre automjeteve dyshohet të jetë edhe ai i djalit të Ibrahim Lamit, administrator i kompanisë Loti shpk, i arrestuar pasi dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i kanalizimeve.

Në datë 05.08.2020, në orën 12:45, Tushe telefonon Peqinin: “O Mule thuaj i çik atij t’u hedhë çunave me tre tetat…”

Pas kësaj telefonate, Peqini telefonon punonjësin e pikës së karburantit dhe i thotë: “Po vjen një makinë tjetër aty”.

Në orën 13:00, Flamuri telefonon në pikën e karburantit dhe i thotë: “Hidhi asaj me tre teta o burrë i dheut… Shpejto tani direkt, ajo më, ke parasysh, është çuni i shefit”.

Para kësaj telefonate, Fatos Tushe ka telefonuar Peqinin dhe i thotë: “Janë çunat aty Mule, nuk i the gjë atij”

Në një tjetër bisedë telefonike 6 minuta më vonë, punonjësi i pikës së karburantit i thotë Peqinit se i ka hedhur makinës 85 litra karburant. Ndërsa një makine tjetër 83 litra.

Sipas SPAK, në lidhje me shpërdorimin e karburantit, është dokumentuar edhe episodi i furnizimit me karburant të shtetasit i identifikuar si F.F., i cili më datë 28.07.2020 rreth orës 10:39 telefonon kryetarin e Bashkisë Fatos Tushe, dhe i thotë që nesër në mëngjes do iki për pushime dhe do futet në Lushnjë nga ora 07:30. Tushe thotë që do të nxjerrë drejtorin e burimeve njerëzore, pasi vetë do të jetë në Karaburun.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se Ndërmarrja e Pasurisë Publike Lushnje, në datë 30.04.2020, ka lidhur kontratën me operatorin ekonomik “Nushi” shpk me objekt “Blerje gazoil për Ndërmarrjen e Pasurisë Publike, pastrimin e kanaleve kullues dhe benzinë për motorët, marrëveshje kuadër-vetëm me një operator ekonomik me afat 12 muaj”, me fond limit 22.778.285 lekë.

Përgjimi data 5 Gusht 2020, ora 13:05

Daniel Nushi: Urdhëro Flamur

Flamur Peqini: Hidhi asaj me tre 8 o burrë i dheut…

Daniel Nushi: Ok ja tani në sekonda.

Flamur Peqini: Shpejt o tani direkt ajo me tre 8 e ke parasysh, është çuni i shefit ooo shpejt.

Daniel Nushi: Po po hajt hajt…

Përgjimi data 5 Gusht 2020, ora 17:17

Flamur Peqini: He Daniel…

Daniel Nushi: O vëlla kam këtë çunin e shefit këtu o..

Flamur Peqini: Çunin e shefit, ok mbushe dhe më ço mua mesazh sa litra i hodhe.

Daniel Nushi: Mirë të keqen hajt…

Përgjimi data 28 Korrik 2020, ora 10:39

X: Përshëndetje, si jeni, si keni qenë, mirë.

Fatos Tushe: Përshëndetje miku im, faleminderit ju mirë.

X: U pengoj, jeni me pushime besoj.

Fatos Tushe: Jo, jo.

X: Unë nesër në mëngjes do iki me pushime.

Fatos Tushe: Ëhë ok, po nesër në mëngjes ku do kalosh ti.

X: Epo nesër në mëngjes aty do kaloj unë do futem në Lushnje aty nga ora 07:30 besoj.

Fatos Tushe: Epo mirë të nxjerr këtë drejtorin e burimeve njerëzore unë Turin, se unë do jem në Karaburun.