Bashkia e Tiranës nuk ka arritur që të dakordësohet me palën private për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.
Në një deklaratë për mediat Bashkia e Tiranës ka bërë e dije se Teatri i ri do të ndërtohet me buxhet nga shteti.
“Pas përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni i vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe nën ekspertizën konsulentit të përzgjedhur për të ndihmuar komisionin, nisi punën me negocimin e ofertës së palës private të interesuar.
Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private.
Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor.
Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, Qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik”.
Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë Qeverisë Shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e këtij projekti ndërsa zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike.
“Puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar do të nisë brenda vitit të 100 vjetorit të shpalljes së Tiranës Kryeqytet të Shqipërisë”, përfundon Bashkia e Tiranës.