Bota “Marrëveshje sekrete Thaçi-NATO”, Kurti: Dokumentin ma dha një zyrtar i NATO-s

“Marrëveshje sekrete Thaçi-NATO”, Kurti: Dokumentin ma dha një zyrtar i NATO-s

Paraditen e së mërkurë, Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur, se përmes një shkrese zyrtare, ka informuar kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, lidhur me një shkelje të pretenduar të Kushtetutës nga Hashim Thaçi.

Zyra e Kurtit njofton se është gjetur një marrëveshje sekrete, e nënshkruar në vitin 2013, mes ish-kryeministrit, Hashim Thaçi dhe ish-sekretarit të Përgjithshëm, Anders Fogh Rasmussen.

Në njoftim thuhet se, përmes kësaj marrëveshje Kryeministri i atëhershëm, në emër të Republikës së Kosovës, mori te KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë pa afat.

Në një deklaratë të mëvonshme për mediat, Kurti u shpreh se e kishte siguruar këtë dokument nga një zyrtar i NATO-s dhe nuk e ka gjetur në zyrë.

“Letërkëmbimin nuk e kam gjetur në zyrën time, por më është dhënë nga një zyrtar i NATO-s. Duke e falënderuar NATO-n, morëm edhe letërkëmbimin”, u shpreh Kurti.