Udhëtimi në vende të huaja e të panjohura sa vjen e bëhet më i lehtë. Tani turistët nuk kanë pse të vijnë vërdallë në një qytet që nuk e njohin e ku nuk dinë gjuhën, e të përpiqen ta gjejnë rrugën me shenja duarsh.
Teknologjia ka përparuar në këtë fushë që me Google Maps, e cila bën të mundur që edhe një person që po shkel për herë të parë në një qytet, të shkojë te adresa e saktë pa u lodhur shumë, vetëm duke ndezur “GPS” në celular, e cila gjen automatikisht vendndodhjen e celularit, dhe më pas udhëzon në hartë se si të shkohet te destinacioni i dëshiruar. Por kjo quhet teknologji e vjetër tashmë.
Një tjetër lehtësim janë aplikacionet e përkthimit automatik në kohë reale. Google Translate, për shembull, e përmirëson çdo ditë e më shumë përkthimin automatik, por tani ofron dhe shërbime të tjera që i lehtësojnë këto udhëtime edhe më shumë, si Google Lens.
Google Lens është një program që lidhet me kamerën e celularit dhe bën të mundur që të përkthehen fotot e tabelave që shkruhen në alfabete të tjera. Një udhëtar nga një vend ku përdoret alfabeti latin, mund të shkojë në vende si Rusia, Kina, Greqia apo Arabia Saudite,mund të fotografojë tabelat në alfabete të tjera dhe inteligjenca artificiale e programit arrin të shquajë se cila pjesë e fotos është në formë teksti. Dhe më pas atë tekst e kopjon automatikisht në “Google Translate” dhe e përkthen në kohë reale, duke ruajtur madje edhe pamjen e fotos.
Dhe sikur të mos mjaftonin këto, tani ofrohet edhe përkthimi zanor në kohë reale. Google mundëson regjistrimin e zërit dhe përkthimin e tij në kohë reale. Jo vetëm në celular, por disa kompani po prodhojnë aparate pak të kushtueshme, me përmasa sa iPod-et e dikurshëm, me anë të cilave mundësojnë përkthimin zanor në kohë reale njësoj si me celular. Nëse një person thotë një fjali në gjuhën e tij, mikrofoni e regjistron zërin dhe më pas e përkthen me zë artificial në gjuhën që dëshironi, duke i shtyrë kështu barrierat e komunikimit edhe më tej.
Por kjo teknologji nuk ndalon as këtu. Kohët e fundit po zhvillohet një program që mundëson të flisni në gjuhën tuaj në telefon, dhe personi në anën tjetër të dëgjojë përkthimin e asaj që po thoni në kohë reale. Pra, bën punën e aparaturave e mësipërme që regjistrojnë zërin, por duke e shkurtuar kohën e përkthimit aq sa pothuajse nuk vihet re fare ndryshimi.