Reforma me tekstet mësimore nuk e përmirësoi cilësinë e librave. Sërish nxënësit gjejnë gabime në tekstet që mësojnë, më së shumti gabime drejtshkrimore, por nuk mungojnë as gabimet në përmbajtje apo keqformulimet e pyetjeve.
Gabimet janë për shkak të cilësisë së ulët të punës së autorëve, por edhe shtëpive botuese. Ekspertët kërkojnë të ndërhyhet shpejt dhe japin edhe sugjerimet.
Ndriçim Mehmeti, ekspert i cilësisë së arsimit, shprehet: “Tekstet duhet të kenë patjetër një redaktor rigoroz letrar, i cili të japë në mënyrë të përkryer gjuhën shqipe. Për shembull, po të shikoni në vitet ’30, çdo libër thoshte shqipëroi, ne e kthyem dhe themi përktheu. Pra, që këtu fillon gabimi shumë i madh. Po të shikoni edhe e folura është shumë e varfër, është varfëruar shumë, me gabime drejtshkrimore shumë të mëdha”.
Përgjegjëse për këtë, eksperti i çështjeve arsimore, prof. Mehmeti, bën dhe Ministrinë e Arsimit: “Ministria nuk mund ta kalojë veten si spektator, por duhet të jetë aktiv për t’i kaluar këto libra në një sitë shumë të hollë. Nuk vlen përmbajtja shkencore apo vetëm përmbushja e programit, por duhet një gjuhë dhe stilistikë shqipe në mënyrë të atillë që t’i përshtatet nxënësve, moshës së tyre, por edhe të pasurojë gjithnjë e më shumë gjuhën e tyre”.
Vazhdimisht kemi treguar për tekstet mësimore me gabime të rënda. Teksti i gjeografisë së klasës së nëntë ishte një nga rastet. Megjithatë, asnjë masë serioze nuk është marrë nga Ministria e Arsimit për të zgjidhur këtë problem.
Një situatë të ngjashme po has edhe Kosova, por qeveria atje ka hartuar një ligj për të parandaluar gabime të ngjashme.