Presidenti amerikan Donald Trump foli me telefon me liderin politik të talibanëve të martën, duke thënë se ishte një “bisedë e gjatë dhe e mirë”, ditë pasi u nënshkrua marrëveshja historike që do të rezultojë në tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.
Kjo bisedë midis Presidentit amerikan dhe Mulla Abdul Ghani Baradar vjen ndërsa talibanët vazhduan ofensivën e tyre kundër forcave afgane.
I pyetur nëse po fliste me Mulla Baradar, negociatorin kryesor të procesit të Doha-s, për herë të parë, Trump nuk pranoi të komentojë.
“Marrëdhënia ime me Baradar është shumë e mirë … Ata duan një fund të dhunës”, shtoi Trump.
“Unë mendoj se ne të gjithë kemi një interes të përbashkët”, theksoi presidenti amerikan, duke përsëritur kënaqësinë e tij për marrëveshjen e Doha-s.
“Ne kemi qenë atje për 20 vjet. Presidentët e tjerë janë përpjekur, por nuk arritën të kenë një marrëveshje të tillë”, tha ai.
Sipas marrëveshjes së Doha-s, amerikanët dhe aleatët e tyre zotohen të tërheqin të gjitha trupat e tyre nga Afganistani brenda 14 muajve. Kjo do të çojë në hapjen e bisedimeve me Kabulin për vendosjen e paqes së qëndrueshme.