Sport Zidane duhet të fitojë trofe, ndryshe Pochettino është gati në verë

Zidane duhet të fitojë trofe, ndryshe Pochettino është gati në verë

Real Madridi po e konsideron Mauricio Pochettino-n si zëvendësues të mundshëm për trajnerin Zinedine Zidane. Kështu shkruan sot “The Independent”. Presioni mbi francezin nuk është i paktë, në vazhdën e humbjeve ndaj Levante dhe Manchester City, në shkurt. Megjithatë, fitorja 2-0 e “El Clasico” së të dielës së kaluar ndaj Barcelonës e riktheu disi humorin në “Santiago Bernabeu”.

Me Champions-in në rrezik, pas humbjes së ndeshjes së parë të 1/8 finale, në shtëpi, kundër “qytetarëve” të Guardiolës, galaktikët duhet të fitojnë trofe të rëndësishëm këtë sezon. Ndryshe, Zidane vihet seriozisht në pikëpyetje. Florentino Perez, duke e pasur prognozën të qartë, ka kërkuar të azhornohen lëvizjet e ish-trajnerit të Tottenham, Pochettino. Po i shkau këmba “Zizou”,  objektivi është i qartë dhe i menjëhershëm: hapja e bisedimeve me argjentinasin, këtë verë.

Nuk është më sekret se i pëlqyeri i presidentit Florentino Perez është nënkampioni i Europës në fuqi. Kujtojmë se Pochettino shkoi deri në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar, ku u mund nga Liverpool. Ai u shkarkua nga “Spurs” para pak muajve, për shkak të mungesës së rezultateve pozitive në Premier League. Vendin e tij e ka zënë Jose Mourinho, ndërsa argjentinasi pret angazhimin e radhës. La Liga mbetet më e lakmuara për të.