Mbrëmja sportive e së dielës në Itali kishte në qendër të vëmendjes emisionin “Tiki Taka” në Canale 5, sepse ishte e ftuar si zakonisht Wanda Nara dhe dihej që bashkëshortja-agjente e Mauro Icardi-t do të fliste gjerësisht për krizën mes yllit argjentinas dhe Interit.
E përlotur, Wanda shpjegoi se nuk e ka kërkuar kurrë rinovimin dhe se Icardi ka mbetur shumë i lënduar nga heqja e shiritit të kapitenit: “Mauro po e vuan shumë heqjen e shiritit, është sikur t’i kesh prerë këmbën. Ai është shumë krenar për shiritin dhe për këtë fanellë. Interi është familja jonë, nuk duam të largohemi”.
Gjatë emisionit, në lidhje direkte mori në telefon Beppe Marotta, administratori i deleguar i Interit, i cili është munduar të sqarojë pozicionin e klubit në këtë histori.
“Duam të ulim tensionin, sepse vendimi u mor ashtu siç komunikuam, duke qenë se ka momente kur koka e familjes duhet të marrë vendime për t’i ndihmuar fëmijët të rriten“, tha Marotta.
“Mauro është 25 vjeç, ka shumë rrugë përpara dhe eksperiencë për të grumbulluar. U mundova t’ia shpjegoj personalisht këtë gjë, edhe trajneri po ashtu. Dua thjesht ta siguroj Wandan, sepse u trishtova duke e parë të qante, por dua ta bëj të qartë që ajo që po bëjmë është për të mirën e Interit, të Mauros, të tifozëve që bëjnë shumë sakrifica për këtë klub.
Nuk do të hyj në arsyet e vendimit, por ishte një vendim i drejtë. Asgjë nuk është krisur. Dua të qartësoj se nuk kemi dyshuar kurrë te përkushtimi dhe profesionalizmi i tij. Do të takohemi së shpejti për të diskutuar, nëse Wanda dëshiron, por e kemi caktuar një takim për të paraqitur propozimin tonë për rinovim.
Sërish, ata janë të lirë të pranojnë apo refuzojnë. Asgjë nuk është kompromentuar”, tha Beppe Marotta.