Kryesore Rama, të vetëve: Organizohuni për zgjedhjet vendore, pavarësisht opozitës

Rama, të vetëve: Organizohuni për zgjedhjet vendore, pavarësisht opozitës

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur paraditen e së hënës grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Fokusi i diskutimeve kanë qenë zgjedhjet vendore të Qershorit.

Sipas burimeve të saj, Rama u ka kërkuar deputetëve të Partisë Socialiste që të vijojnë punën dhe organizimin për zgjedhjet lokale pavarësisht se çfarë vendimi do të marrë opozita.

Një ditë më parë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha në një deklaratë për mediat se do t’i propozojë grupit të tij parlamentar që të djegin mandatet e deputetëve. Ai kërkon një qeveri tranzitore për të organizuar zgjedhje të parakohshme.

Këtë vendim, Basha tha se e mori pas protestës së 16 Shkurtit, duke argumentuar se e ka lexuar qartë mesazhin e protestuesve dhe se Partia Demokratike “nuk do të bëhet fasadë e një parlamenti të dalë nga krimi”.

Mbetet për t’u parë nëse grupi i PD dhe strukturat drejtuese të partisë do të pranojnë propozimin e Lulzim Bashës për djegien e mandateve.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama duket se është indiferent ndaj kësaj lëvizje ekstreme të Bashës.

Deputetëve të tij u ka thënë që mos dëgjojnë opozitën, por të vazhdojnë normalisht punën për zgjedhjet bashkiake.

Por në një intervistë për Corriere della Sera, Kryeministri u shpreh se nuk ka ndërmend të dorëhiqet dhe nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme.