Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj paralajmëron masa ndaj zyrtarëve që shpallën tender për produktet serbe. Reagimi i ashpër i kreut të ekzekutivit lidhej me mundësinë e furnizimit të institucioneve të ndryshme kosovare me produkte ushqimore nga Serbia.
Edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala e ka konsideruar të papranueshëm veprimin e Agjencisë Qendrore të Prokurimit, që përmes një tenderi publik, favorizon produktet serbe e jo ato vendore. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh se është informuar përmes mediave mbi tenderin në fjalë.
“Sot, në media jam njoftuar për tenderin e shpallur nga AQP, e që mund të jetë në kundërshtim me ligjet e prokurimit publik. Tashmë kemi kontaktuar institucionet përgjegjëse dhe jemi në pritje të qartësimit të problemit dhe identifikimit të personave përgjegjës, ndaj të cilëve do të nisin menjëherë procedurat në përputhje me ligjet në fuqi”, tha Haradinaj.
Përmes 23.5 milionë eurove, Agjencia Qendrore e Prokurimit kërkon të blejë prodhime të Serbisë për të furnizuar disa institucione, në një kohë kur qeveria e Kosovës ka vendosur taksën doganore prej 100% mbi mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.