Bota Tensionet në Kosovë, reagon Moska: Po ndjekim me kujdes zhvillimin e ngjarjeve

Tensionet në Kosovë, reagon Moska: Po ndjekim me kujdes zhvillimin e ngjarjeve

Rusia e konsideron situatën në Kosovë “jashtëzakonisht të vështirë, të tensionuar dhe potencialisht të rrezikshme”. Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov lidhur me zhvillimet e fundit atje, ku një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë pas sulmit me armë nga një grup terrorist serb.

“Në frontin e Kosovës, ne shohim një qëndrim mjaft të vendosur jo objektiv ndaj serbëve. Është një linjë tradicionalisht e pabalancuar”, tha Peskov, i cituar nga “Russia Today”.

Ai gjithashtu theksoi se Moska po ndjek me kujdes zhvillimin e ngjarjeve. Zëdhënësi i Kremlinit nuk ka komentuar incidentin në manastirin ortodoks të Banjskës në veri të Kosovës, por ka theksuar se ka provokime të rregullta kundër popullatës serbe në atë zonë.

“Fakti që shumë shpesh organizohen provokime të ndryshme kundër serbëve nuk është sekret për askënd. Sigurisht që në sfondin e këtyre provokimeve gjithmonë ka zhurmë”, shtoi Peskov.