Politika Të tjera ndryshime në ambasada, Begaj dekreton një tjetër valë emërimesh dhe...

Të tjera ndryshime në ambasada, Begaj dekreton një tjetër valë emërimesh dhe shkarkimesh

Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar një valë tjetër emërimesh dhe shkarkimesh të disa prej ambasadorëve. Kështu me propozim të kryeministrit Edi Rama ai emëron Albana Dautllarin ambasadore në Suedi dhe Finlandë, e cila do të zëvendësojë në këtë detyrë Virgjil Kulen. Ndryshime të ambasadorëve janë bërë edhe në Bullgari, Spanjë dhe Marok.

Dekretet mbi emërimet dhe lirimet e Ambasadorëve

Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, dekretoi lirimet dhe emërimet e Ambasadorëve si më poshtë vijojnë:

Lirohet znj. Donika Hoxha nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Bullgarisë, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Moldavisë, jorezident.

Lirohet z. Gazmend Barbullushi nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut, në Republikën Islamike të Mauritanisë dhe në Principatën e Andorrës, jorezident.

Lirohet z. Virgjil Kule nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë, rezident, si dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, Republikën e Islandës dhe në Mbretërinë e Norvegjisë, jorezident.

Emërohet znj. Inid Milo, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Bullgarisë, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Moldavisë, jorezident.

Emërohet znj. Entela Gjika, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Spanjës, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Marokut, në Republikën Islamike të Mauritanisë, dhe në Principatën e Andorrës, jorezident.

Emërohet znj. Albana Dautllari, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Suedisë, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Finlandës, Republikën e Islandës, dhe në Mbretërinë e Norvegjisë, jorezident.