Zyrtarët amerikanë njoftuan se Uashingtoni do t’i shesë Polonisë 250 tanke luftarake ‘M1 Abrams’ për të rritur sigurinë e vendit në mes të tensioneve të përshkallëzuara me Rusinë mbi Ukrainën.
Të premten sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin u tha gazetarëve në Varshavë se ai dhe sekretari i Shtetit Antony Blinken kanë informuar Kongresin për qëllimin e tyre për të shitur mjetet ushatarake.
“Afati kohor për dorëzimin e tyre është aktualisht në diskutim”, tha zoti Austin.
Polonia njoftoi planet këtë verë për të blerë tanke nga Shtetet e Bashkuara si pjesë e një marrëveshjeje me vlerë rreth 6 miliardë dollarë, por shitja po vonohej.
Zoti Austin tha se blerja e këtyre tankeve nga Polonia do të ndihmojë gjithashtu për të “siguruar një ndarje më të barabartë” të përgjegjësive të mbrojtjes brenda aleancës së NATO-s.
Zoti Austin falënderoi Poloninë për pritjen e 4700 ushtarëve të tjerë amerikanë që janë të përgatitur të përgjigjen nëse Rusia sulmon Ukrainën. Në Poloni ndodhen 9,000 deri në 10,000 trupa amerikane që nga urdhrat shtesë në fillim të këtij muaji të Presidentit Joe Biden për dislokime forcash ushtarake.