Teoritë e konspiracionit i kanë vënë britanikët kundër teknologjisë 5G. Siç raporton BBC-ja, të paktën pesë antenave shpërndarëse 5G u është vënë zjarri javën e kaluar.
Thashethemet dhe teoritë e komplotit e lidhin 5G-në me përhapjen e koronavirusit. Këto teori janë përhapur kryesisht përmes rrjeteve sociale.
Një teori pretendon se koronavirusi e ka origjinën në Vuhan sepse qyteti kinez kohët e fundit kishte hyrë në 5G. Tani koronavirusi është përhapur në qytete të tjera që përdorin gjithashtu 5G.
Ajo që këto teori nuk thonë është se virusi me përhapje të shpejtë po vijon të shtrihet në qytete me popullsi të dendur pa aksese në 5G, siç është përhapur edhe në vende si Irani dhe Japonia, ku 5G nuk është akoma në përdorim.
Nuk ka prova shkencore që lidhin pandeminë e koronavirusit me 5G, as ndonjë efekt të menjëhershëm negativ në shëndet të 5G.
5G përdor një frekuencë më të lartë të valëve të radios se 4G ose 3G, por rregullatorët në Britaninë e Madhe kanë regjistruar nivele rrezatimi elektromagnetik 5G shumë poshtë niveleve të lejuara ndërkombëtare.
Por kjo nuk i ka penguar teoritë e konspiracionit. Madje, disa njerëz madje i ngacmojnë punëtorët që vendosin kabllot me fibër optike të 5G-së, duke u thënë se kur 5G të ndizet “do të na vrasë të gjithëve”.
Rregullatori i Britanisë së Madhe, Ofcom, gjithashtu paralajmëroi Uckfield FM, një stacion radioje, për dhënien e hapësirës kohore disa “deklaratave potencialisht të dëmshme për koronavirusin”. Një e ftuar, e identifikuar si “infermiere e regjistruar”, u shfaq në një segment 20-minutësh në shkurt, duke pretenduar se 5G po thith oksigjenin nga mushkëritë e njerëzve.
Siç ka ndodhur me shumë teori konspirative dhe fushata dezinformuese, dyshimet janë se Rusia mund të jetë në qendër të kësaj “stuhie” të ngritur për 5G. Një shkrim në “New York Times” vitin e kaluar paralajmëroi se fushatat ruse të dezinformimit po shfrytëzonin në mënyrë aktive frikën e shëndetit. RT America, një rrjet televiziv i financuar nga qeveria ruse, transmetoi një vit më parë një material, në të cilin një reporter i RT pretendonte se 5G “mund t’ju vrasë”.
Këto paralajmërime të pakuptimta që kanë filluar të shfaqen në Facebook mesa duket janë mjaftueshëm bindëse për t’i nxitur disa të dëmtojnë infrastrukturën jetike kombëtare. E gjithë kjo po ndodh në një kohë kur si Britania e Madhe dhe shumë vende në të gjithë botën po luftojnë me pandeminë e koronavirusit. Ndërsa profesionistët mjekësorë janë të zënë me luftimin e një virusi shumë ngjitës, punëtorët e telekomit dhe rrjetet e mediave sociale duhet të luftojnë një përhapje virale po aq shkatërruese të marrëzisë në internet.