Cikloni “Ianos” ka shkatërruar zona të tëra në Greqi. Erërat e forta dhe shirat e fuqishme kanë shkaktuar përmbytje duke lënë të paktën dy viktima deri më tani.
Pas gjetjes së një gruaje të vdekur në fshatin Vasili të Farsalas ekipet e zjarrfikësve kanë gjetur një tjetër viktimë. Bëhet fjalë për një fermer 63-vjeçar.
Sipas mediave, viktima është me origjinë nga Shqipëria dhe djali i tij po e kërkonte që prej ditës së djeshme.
63-vjeçari u gjet në Kardhicë prapa spitalit. Ky qytet është edhe një prej zonave më të prekura nga cikloni, ku sipas mediave vendi tashmë ngjan me një liqen.
Ekipet e kërkim-shpëtimit në Greqi po vijojnë punën për gjetjen e një 40-vjeçareje tjetër. Dyshohet se makinën me të cilën ajo po udhëtonte e ka marrë rrjedha e një lumi pranë Kardhicës.
Kjo stuhi ciklonare do të mbajë nën rrezik të lartë, një pjesë të madhe të ishujve grekë ku gjatë së shtunës, Janos do të përqendrohet në Jonin Jugor, Peloponez dhe Perëndim të Kretës.
Parashikohet që forca e stuhisë të dobësohet nga mbrëmja e së dielës, megjithatë deri të dielën rreziku do të jetë i lartë në jug të Peloponezit dhe ishullin e Kretës.