Nuk ka qenë e vështirë të vërehet se roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkan nuk është më si dikur. Por, e përditshmja prestigjioze “Washington Post” shkruan se, për Komisionerin europian të Zgjerimit, Johannes Hahn, kjo gjë nuk përbën një problem.
Hahn ishte në SHBA javën e kaluar, pjesërisht për të diskutuar me homologët amerikanë mbi Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor.
“Që prej luftërave të viteve ’90, Uashingtoni ka qenë ‘shoferi’ në rajon dhe jo Brukseli”, thotë gazeta, megjithatë Hahn deklaron se tani po ndodh e kundërta.
“Shtetet e Bashkuara janë shumë mbështetëse për BE-në në Ballkan”, është shprehur ai, duke shtuar më tej: Mendoj se janë të lumtur, që tanimë drejtimin e kemi ne në dorë.
Shqetësimi më i madh në këto momente, sipas zyrtarit të lartë europian lidhet me qasjen e Amerikës ndaj zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Deri vonë, në Uashington nuk ishte pranuar ideja e shkëmbimit të territoreve, pasi ndryshimet e kufijve në rajon janë lidhur gjithmonë me dhunën e gjakderdhjen.
Por, administrata e Trumpit thotë se do të mbështesë çdo zgjidhje mes palëve. Shpresat e Hahnit janë që zgjidhja e ngërçit shumëvjeçar të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut do të shërbejë si shtysë për t’iu dhënë udhë edhe konflikteve të tjera, përfshire dialogun e ngecur mes Serbisë dhe Kosovës.
Ai nuk nxiton, megjithatë, të bëjë parashikime, por thotë se parakushti i vetëm që Brukseli ka vendosur është se, çdo lloj marrëveshjeje dypalëshe duhet të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin rajonal.