Kandidati i Bashkisë Lezhë, Sandër Marku i PD-së të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj është tërhequr nga gara elektorale për zgjedhjet e 14 Majit.
Pas Lezhës, nga gara për zgjedhjet vendore është tërhequr edhe kandidati tjetër i PD-së së Alibeajt, ai i Korçës.
Gjergji Gjata ka njoftuar se është tërhequr në mënyrë të parevokueshme nga gara elektorale për Bashkinë e Korçës.
“Ju informojmë se unë si kandidati për Kryetar i Bashkisë Korçëë dhe 40 kandidatë për Këshillin Bashkiak, të partisë politike PDSh, tërhiqemi nga gara elektorale (në mënyrë të parevokueshme) për Zgjedhjet Vendore 2023, për mungesë të procedurave vendimmarrëse në organet drejtuese të PDSh lidhur me kandidimet, si dhe për shkelje të integritetit dhe dinjitetit të të gjithë kandidatëve, cënuar nga vendime personale dhe jo kolegjiale”, thotë Gjergji Gjata në njoftimin e tij.
Kujtojmë se në mbledhjen e Kryesisë të së dielës, Kryesia zyrtarizoi kandidatët për 16 bashki, duke lënë qytetarët 45 bashkive pa emrin e një kandidati që do të përfaqësonte PD që mban vulën ligjërisht.
Ky skenar, ka sjellë reagime të forta nga deputetët demokratë kundër Enkelejd Alibeajt që PD-ja të mos dalë me 2 kandidatë për 14 Majin.