Kryesore Tërmeti apokaliptik në Ballkan, sizmologu grek përgënjështron Metën: S’kam bërë kurrë parashikim...

Tërmeti apokaliptik në Ballkan, sizmologu grek përgënjështron Metën: S’kam bërë kurrë parashikim të tillë

Presidenti Ilir Meta dhe sizmiologu Akis Tselentis

Një letër e pazakontë e presidentit Ilir Meta i është dërguar kryeministrit Edi Rama, zëvendëskryeministrit Erjon Braçe dhe ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, ku kreu i shtetit flet se vendi ynë duhet të përgatitet për përballjen me një tërmet apokaliptik që mund të godasë Ballkanin.

Kreu i shtetit shfaqet mjaft i shqetësuar në lidhje me një parashikim të një sizmologu të vjetër grek. Por teksa Presidenti citon në letrën e tij drejtorin e Institutit Gjeodinamik Observatori Kombëtar të Athinë, Akis Tselentis, konkretisht për “një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës”, siç Meta shkruan në letër, e vërteta është tjetër.

Shqiptarja.com kontaktoi përmes e-mailit me sizmologun e vjetër grek, i cili në përgjigjen e tij përgënjeshtron Presidentin Meta duke thënë se nuk ka biseduar kurrë me të dhe se asnjëherë nuk ka bërë një parashikim të tillë.

“Asnjëherë nuk kam bërë asnjëherë asnjë parashikim specifik për tërmete.  E gjitha kjo është fake (e rremë) dhe qesharake.  Asnjëherë nuk kam qenë në kontakt me presidentin tuaj”, tha sizmiologu Akis Tselentis për Shqiptarja.com sizmiologu Akis Tselentis

Mbi citimin e gabuar, që nuk ekziston, Presidenti Ilir Meta, vishet me “kostumin” e sizmologut, kur thotë se “vendi ynë është një nga vendet me sizmicitet më të lartë në Evropë, prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore”, – thuhet në letër.

Letra e plotë e Metës:

Të nderuar,
Nëpërmjet medias ndërkombëtare dhe kombëtare jam informuar mbi paralajmërimin për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballkanin. Paralajmërimi ka ardhur nga sizmiologu i njohur, zoti Akis Tselentis, drejtor i Institutit Gjeodinamik Obsarvatori Kombëtar i Athinës.

Sizmiologu Tselentis ka paralajmëruar për një tërmet apokaliptik që pritet të godasë Ballaknin, që mund të jetë 30 herë më i fuqishëm se ai që goditi para disa ditësh rajonin e Athinës.
Për shkak të karakteristikave të veta sizmike vendi ynë është një nga vendet me sizmicitetin më të lartë në Europë. Prandaj Shqipëria është një vend i kërcënuar nga kjo dukuri natyrore.

Për sa më sipër, kërkoj nga ana juaj të informohem mbi:
Institucionet përgjegjëse, a kanë kontaktuar me sizmiologun Tselentis dhe institucionet homologe të rajonit lidhur me të dhënat e tyre për paralajmërime të tilla?
Cilat janë kapacitetet tona për përballimin dhe masat e marra nga ana juaj , nëse vendi ynë do të goditet nga një tërmet i përmasave të tilla.

Çfarë masash janë marrë apo do të merren për të reaguar në kohë dhe për të minimizuar pasojat e mundshme në nivel qëndron dhe vendor?
Nëse e gjykoni të domosdoshme, jam i gatshëm të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare menjëherë qoftë dhe vetëm për këtë çështje, pasi çdo nënvlerësim i situatës mund të jetë me pasoja tragjike për jetën e qytetarëve në radhë të parë.

Presidenti i Republikës

Ilir Meta