Nga Lutfi Dervishi
Të banosh në katin e 12 nuk përjeton frikë nga tërmeti. Është diçka përtej frikës dhe ankthit. Mpirje. E megjithatë duhet të lëvizësh.
Nga këshillat e sizmologëve dhe veçanërisht të youtube-it pozicioni më i sigurtë për të kaluar goditjet vertikale dhe horizontale është tek dera ose poshtë tavolinës (nëse nuk e ke prej xhami). Dera është edhe kujtesë për t’ia mbathur një orë e më parë.
Me ngut kap çantën e vogël, pastaj një çantë të madhe. Të gjithë në nxitim e sipër duam të marrim nga një çante me vetë dhe të ndalojmë pak para pasqyrës para se të dalim.
Një kushëri 18-vjeçar që ishte për fundjavë kërkon me ngut celularin, karikuesin, furçën e dhëmbëve dhe atletet. Pastaj kthehet sërish se ka harruar diçka të rëndësishme në dhomë. Nuk kam fuqi për të ngritur zërin. Dëgjohet vetëm mërmërima ime: të lutem….mes ulërimave që jehonin nga katet e mëposhtme.
Komshiu një kat më poshtë tregon xhentilesën e tij krejt të pazakontë në ditë tërmeti dhe na fton në ashensor- ejani se ka vend edhe për ju- tha. Vendi më i pakëshillueshëm për të lëvizur, sipas ekspertëve. Vijojmë zbritjen e shkallëve dhe për shkak se lëvizim me çanta – një pensioniste që ka dalë te dera thotë: sa mirë, po ikni! E paskeni shitur shtëpinë?!
Përpara nesh kërcen i lumtur një djalë 10 vjeç – “Do Zoti është shembur shkolla”- thotë ai dhe nga lartësia me të cilin kërcen është krejt i bindur se të hënën e ka pushim.
Një biznesmen që ka në pronësi median dhe që ka në dorë vetëm kuletën dhe kapelën ka një dëshirë edhe më të madhe: i zhytur në kredi urimi i tij me gulçimeve është krejt i veçantë dhe nuk mund të jetë i vetmi në këtë qytet që ka këtë ëndërr: o bobo .. o Zot ishalla është shembur Banka….
Shoh vëngër kushëririn që u vonua për të dalë dhe i them: po të mos ishe vonuar tani do të kishim dalë nga pallati!
Në katin e 5 ndeshemi me F. Ai është në prag të pensionit, por inatin më të madh e ka me artistët e Teatrit Kombëtar që nuk ju mbushet mendja se qeveria do ta prishë teatrin për të mirën e tyre. F më kap nga dora më sheh ngultas në bebe të syrit dhe me një zë përgjërues thotë: ti je gazetar, a ke dëgjuar gjë është i vërtetë është lajmi se është shembur ajo godina e vjetër e Teatrit?
Duke menduar se më e keqja mund të ndodhte nga momenti në moment, por edhe për t’i shpëtuar darës së dorës së tij i thashë:
Nuk ka më teatër….
Ahhh më kënaqe tani nuk e kam më frikë tërmetin tha, po futem brenda se mos e japin lajmet. Do të qeras me një kafe për këtë lajm të mirë që më dhe -tha dhe pushoi menjëherë kur dëgjoi zërin e plakës nga brenda: Eja se po e jep televizori tërmetin.
Në sheshin para pallatit duket se ka miting. Marr makinën për t’u larguar nga Tirana në drejtim të Durrësit. Por kthej mendje sapo shoh që epiqendra e tërmetit ishte në Durrës. Isha shumë kurioz për çfarë ishte kthyer kushëriri në dhomë…
Ai fut dorën në çantë sportive dhe pas pak më nxjerr “antidjersën’ Nivea.
“E mora kot- tha – se paska mbaruar!
Ndjej goditje në stomak dhe makina lëkundet lehtë. Edhe goma m’u desh tani. Ndaloj makinë dhe shoh që gomat ishin në rregull. Ishte goditja e dytë e tërmetit.
Shumë më e lehtë se goditja e parë, por jo më e lehtë se “goditja” që mora duke zbritur shkallët.