Procesi i rindërtimit për pasojat e tërmetit ishte sërish në fokus të Mbledhjes së Katërt të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se tashmë procesi i rindërtimit është në një fazë të re pasi tashmë janë zonat e përcaktuara për t’u zhvilluar dhe modelet e banesave individuale.
Kreu i qeverisë u shpreh se në ditët e ardhshme do të hapet procedura e garës ndërkombëtare për të ftuar kompanitë që do të ofrojnë ndihmën e tyre për zhvillimin e këtij projekti
“Kemi përfundimisht zonat e përcaktuara të zhvillimit. Një pjesë e madhe e planeve dhe ndër to kemi planet e avancuara të Laçit, Thumanës, Shijakut që janë tre zonat ku rindërtimi do të nisë më shpejt sesa në zonat e tjera. Kemi modelet e konfirmuara të banesave individuale sipas tipologjive. Jemi gati që ditët e ardhshme të dalim në procedurën e garës së hapur ndërkombëtare për të ftuar kompanitë që do të ofrojnë suportin për shtëpitë individuale. Kemi të dhënat lidhur me institucionet arsimore dhe shëndetësore që të fillojmë dhe lidhur me to procedurën e garës që të fillojë dhe aty rindërtimi”, u shpreh Rama.
Kreu i mazhorancës gjithashtu shtoi se ka pasur përpjekje për të njollosur punën e qeverisë dhe organizatave në lidhje me donacionet për tërmetin dhe siguroi qytetarët se çdo qindarkë e mbledhur është në pritje të ekzekutimit të projekteve.
“Pres nga qytetarët që të tregojnë durim sepse po mundohemi të bëjmë më të mirën për ta. Gjithçka do të jetë sipas standardeve dhe gjithkush të marrë një shtëpi më të mirë nga ajo që kishte. Në shumë raste ka pasur dezinformim dhe përpjekje për të njollosur procesin duke u përpjekur dhe njollosja e miqve tanë nga organizata të ndryshme të solidaritetit. Çdo qindarkë e publikut është në pritje të ekzekutimit të projekteve dhe kjo punë kërkon dhe pak kohë”, u shpreh Rama.