Kryesore Ministri turk paralajmërim për FETO: Prania e tyre, kërcënim për Shqipërinë

Ministri turk paralajmërim për FETO: Prania e tyre, kërcënim për Shqipërinë

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavushoglu ka kërkuar nga autoritetet shqiptare që Shqipëria të mos kthehet sipas tij në një portë sigurie për anëtarët e organizatës FETO.

Gjatë një konference të përbashkët për mediat me homologun, Gent Cakaj, Çavushoglu tha se prania e tyre në territorin shqiptar është kërcënim për sigurinë dhe të ardhmen e vendit.

“FETO nuk është kërcënim vetëm në Turqi, por edhe kudo ku ndodhet. Në disa vende është një organizatë që kontrollohet nga shërbimet sekrete të disa vendeve. U kemi shpjeguar për kërcënimin edhe në takimet me Ramën dhe Cakaj, se çfarë kërcënimi përbën për Shqipërinë”, tha ministri turk.

I pyetur se sa përflitet të jetë numri i tyre në Shqipëri, Çavushoglu u shpreh se nuk ka shifra të sakta. “Ka me qindra anëtarë të FETO dhe kemi kërkuar kthimin e tyre, presim që hapat e hedhur nga Shqipëria të vazhdojmë, nuk dëshirojmë që Shqipëria të jetë portë sigurie për gylenistët. Vërejmë që ata përpiqen të hyjnë në Shqipëri dhe vendet e tjera dhe mendojmë se prania e tyre këtu është kërcënim për sigurinë dhe të ardhmen tuaj. E falënderojmë Shqipërinë për çfarë ka bërë, nuk është e lehtë, por këto hapa duhet ti themi për të ardhmen tonë. Këtë do t’ia sqaroj edhe një herë kryeministrit Rama”, u shpreh ministri Çavushoglu.

Po ashtu, ai shtoi se tha se Turqia është investitori më i madh i huaj në vendin tonë, por investitorët kanë ndeshur në probleme që sipas tij do t’i diskutojë me kryeministrin Rama.

“Do ndërtojmë 500 njësi banimi, në fund të këtij muaji do nisë ndërtimi i banesave. Ndihma jonë do marrë pjesë në takimin e donatorëve me zv.ministrin e Jashtëm para gjithë Evropës. Sot nënshkruam dy deklarata të rëndësishme mes dy vendeve tona, siç tha edhe vëllai im Genti.

Turqia është investitori më i madh i huaj në Shqipëri. Shumë firma të rëndësishme kanë bërë investime në vendin tuaj dhe kontribuojmë për zhvillimin ekonomik dhe punësimin e shqiptarëve.

Ka disa probleme që mund të kenë firmat tona, do ja shpreh kryeministrit Rama sot, në këtë mënyrë do kontribuojmë më shumë për zhvillimin ekonomik i Shqipërisë”, u shpreh ministri i Jashtëm i Turqisë.