Nga Miron Çako*
Tërmetet shkencërisht ndodhin kur dy blloqe nga korja e tokës rrëshqasin dhe shkëputen nga njëra tjetra. Kur blloqet e tokës ngecin në lëvizjen e tyre çlirohet një sasi kolosale energjish, të cilat shpërndahen si rrathët e një pellgu uji, duke e tronditur tokën me tërmet dhe duke shkatërruar struktura dhe ndërtesa. Edhe pse tërmetet janë dukuri të natyrshme në planetin tonë, ata mund të jenë me pasoja katastrofike për natyrën, ambientin dhe me fatkeqësi tragjike në jetët e njerëzve.
Tërmeti është një nga gjërat më të frikshme të natyrës, sepse nuk parashikohet dot dhe të kap në befasi, kështu nuk të jep kohë të largohesh që të shpëtosh. Toka është goditur shumë herë nga tërmetet edhe çdo brez nga një eksperiencë nga tërmetet dhe është prekur nga fatkeqësitë që vijnë prej tyre.
Pavarësisht se tërmetet janë proces natyral i lëvizjes së kores së tokës, ato si të gjithë fenomenet e natyrës, nuk janë krejtësisht të pavarura, por kontrollohen nga providenca e Perëndisë, i Cili si një Arkitekt i Madh ka krijuar universin dhe tokën, duke e mbajtur në ekzistencë me ligjet fizike, por ndërhyn që këto forca madhore të jenë në dobi të rindërtimit të kores së tokës, nëpërmjet lëvizjes së vazhdueshme të pllakave tektonike.
Sipas Shkrimit të Shejntë, tërmeti është një shenjë e pranisë së gjithpushteshmërisë të Zotit, është një tension apo një reagim i tokës dhe i banorëve të saj kur vizitohet nga prania Hyjnore, ku të gjithë krijesat dhe veçanërisht njerëzit duhet të qëndrojnë me frikë, adhurim dhe me nderim hyjnor: “Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon edhe dridhet” (Psalmi 96:4). “Malet dridhen për shkak të Tij dhe kodrat shpërndahen; Në të vërtetë toka është e ngritur nga prania e Tij, Bota dhe të gjithë banorët në të” (Naum 1:5).
Tërmetet, ashtu siç na tregojnë përvojat njerëzore, janë edhe mjete pedagogjike që i lejon Zoti për të urtësuar njerëzit. Kur njerëzit janë të prekur nga një egoizëm eusforik edhe shthurje morale dhe tejkalojnë çdo limit të etikës njerëzore, ose kur mendojnë se ata janë të zotët e jetës dhe të mjedisit duke abuzojnë me administrimin e jetës së tyre, të të tjerëve dhe natyrës, duke harruar se janë thjesht krijesa shumë të vogla të brishta kalimtare bashkë me qytetrimi i tyre, kur zërat blasfemues të tyre arrijnë deri në veshin e Zotit, atëherë toka dridhet si shprehje e zemërimit të Zotit, për qortim dhe korrigjim të banorëve të saj mëkatarë.
Tek shkrimi i Shenjtë lexojmë: “Nga Zoti i ushtrive do të ndëshkoheni me bubullima, tërmet dhe zhurmë të lartë” (Isaia 29: 6). “Atëherë toka u trondit dhe u drodh; Dhe themelet e maleve po dridheshin dhe ishin tronditur, sepse Ai ishte zemëruar” (Psalmi 18: 7).
Asgjë rreth nesh nuk ndodh rastësisht dhe kur në një vend ka fatkeqësi natyrale të shpeshta, si p.sh. zjarre, përmbytje, tërmete, patjetër që nuk kemi të bëjmë thjesht vetëm me fenomene natyrore, por ato na tregojnë se toka ku banojnë ata njerëz është e molepsur nga mëkatet. Te Libri i Urtësisë (shekulli i 9 pr K) na thuhet pse toka tronditet: “Tri gjëra e tronditin tokën, madje katër janë gjërat që ajo nuk mund të durojë: ‘një shërbëtor kur bëhet mbret, një budalla që ka bukë me bollëk, një grua e përdalë që gjen burrë dhe një shërbëtore që i zë vendin zonjës së saj”. (Fjalët e Urta 30:21-28).
Po të njëjtën gjë na thotë edhe Profeti Isaia (shekulli i 7 pr K): “Toka është shkatërruar, toka është përhapur, toka është tronditur dhunshëm. Toka rrotullohet dhe zhvendoset si një pijanec dhe bie si një kasolle, sepse shkelja e saj është e rëndë mbi të dhe do të bjerë, nuk do të ngrihet më” (Isaia 24: 19-20).
Një tërmet i madh ra në tokë edhe kur Krishti, Biri i Perëndisë si Njeri po vuante në kryq për mëkatet e njerëzve në kodrën Golgothas në Jeruzalem (viti 33 ps K). Kjo na është dokumentuar në ungjillin sipas Mateut (shekulli i I ps K), ku thuhet: “Dhe toka u drodh edhe varret dhe shkëmbinjtë u çanë”… “Tani centurioni dhe ata që ishin me të, duke ruajtur Jisuin, kur panë tërmetin dhe gjërat që po ndodhnin, u frikësuan shumë dhe thanë: ‘Me të vërtetë ky ishte Biri i Perëndisë!” (Mateu 27:27-51, 54).
Tërmetet janë edhe shenja apokaliptike që na tregojnë se ora e fundit po afron dhe njerëzimi do të përballet me katastrofa natyrore, ashtu siç e profetizoij goja e pagabueshme e Krishtit: “në vende të ndryshme do të ketë … tërmete” (Mateu 24:7). Madje libri i Zbulesës na paralajmëron për një mega tërmet që do të ndodhë para se Zoti Jisu Krishti të vijë për herë të dytë për të gjykuar njerëzimin: “Shikova kur Ai theu vulën e gjashtë dhe u bënë zëra dhe bubullima dhe vetëtima dhe u bë një tërmet i madh, që i tillë nuk ishte bërë që kur u bënë njerëzit mbi tokë, një tremet kaq fortë i madh” (Zbulesa 16:18).
Ky mega tërmet do të jetë i fundit dhe më shkatërrimtari në tokë, siç na profetizon Ezekieli (shekulli i 7 pr K): “Në zellin tim dhe në zemërimin tim të zjarrtë unë deklaroj se atë ditë me siguri do të ketë një tërmet të madh … Peshqit e detit, zogjtë e qiejve, bishat e fushës, të gjithë rrëshqanorët gjërat, që rrëshqasin mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë në faqen e dheut, do të dridhen para pranisë time; edhe malet do të hidhen, shtigjet e pjerrëta do të shemben dhe çdo mur do të bjerë në tokë” (Ezekieli 38: 19-20).
Tërmetet si edhe çdo fatkeqësi tjetër natyrore, kanë edhe anën e tyre pozitive, jo vetëm për tokën, por ato si mjete pedagogjike ndihmojnë njerëzit, sepse kur tronditen dhe kur shikojnë pasojat, vijnë në vete dhe kuptojnë kotësinë e gjërave, çlirohen nga egoizmi dhe solidarozohen me njëri-tjetrin, duke u bërë qenie shoqërore, por mbi të gjitha, fillojnë të besojnë dhe të thërrasin me frikë emrin e Zotit, bëhen të arsyeshëm, sepse: “Frika e Zotit është zanafilla e diturisë”(Psalmi 110 ;10)
Pas një tërmeti të tmerrshëm në Antioki, shën Joan Gojëarti i hirshëm (shekull. IV psK) i foli popullit: “Të mëdha janë frytet e një tërmeti. Ja Perëndia që e do aq shumë njeriun, e tund qytetin dhe forcon shpirtin, që i tund themelet dhe forcon mendjen, që i zbulon themelet e dobëta të qytetit dhe e bën të fuqishëm vullnetin e njerëzve! Kthejeni vëmendjen te dashuria e Tij për njerëzimin: “Ai e tund tokën për pak kohë por të jep forcën e përjetshme – vetëm dy ditë zgjat tërmeti por devocioni zgjat përjetë; jeni pikëlluar për një kohë të shkurtër por forcoheni përjetë. Një nënë që do të qetësojë fëmijën e saj që të mos qajë pa pushim, e përkund fort djepin e vogël; jo që t’i bëjë keq fëmijës, por që ta lëvizë pak. Po ashtu edhe Zoti i gjithçkaje, që e mban gjithësinë në pëllëmbën e dorës së Tij, e tund tokën jo që ta shkatërrojë atë, por që t’i kthejë në vete e në shpëtim ata që kanë rebeluar nga dëshira e Tij”.
Në historinë e njerëzimit janë regjistruar shumë ngjarje me tërmete. Shumë mbresëlënëse është edhe kjo ngjarje që na tregohet në Sinaksarin e Kishës Orthodhokse: “Gjatë sundimit të perandorit Theodhosi i Ri (486 ps K), Perëndia ynë plot mirësi dhe i pasur në mëshirë donte ta paralajmëronte popullin e krishterë që të përgatitej për Ditën e Madhe (dita e fundit e botës), kur të vdekurit do të ngjallen, qiejt dhe toka do të ripërtërihen, dhe ku gjithë njerëzit do të gjykohen sipas drejtësisë së besës dhe pastërtisë së jetës së tyre. Atëherë Zoti tronditi tokën në mënyrë të frikshme për shumë ditë. Të trembur, perandori, patriarku shën Prokli dhe i gjithë populli i Kostandinopojës dolën nga qyteti këmbëzbathur për te vendi i paradave të Hebdomonit ku nisën t’i luteshin Zotit për shpëtimin e tyre. Rreth orës së tretë (22:00), toka nisi të tronditej akoma edhe më fort, një djalë i vogël u rrëmbye në qiell prej fuqisë së Shumë të Lartit Perëndi, ndërsa populli i tmerruar thirri Mëshiro, o Zot me një frikë akoma edhe më të madhe. Kur zbriti poshtë në tokë, djali deklaroi para të gjithëve se ishte rrëmbyer në mes të koreve të engjëjve që këndonin: Shenjt Perëndi, Shenjt i Fuqishëmn, Shenjt i pavdekshëm mëshirona! Dhe një zë e ksihte urdhëruar t’i thoshte patriarkut se njerëzit duhet t’i luteshin Perëndisë në këtë mënyrë, pa i shtuar asgjë tjetër. Patriarku i mësoi psaltët dhe popullin si ta intononin këtë himn, që përmban pohimin e Tre Personave Hyjnorë, gjë që na u zbulua edhe nga thirrja e serafimeve gjatë vizionit të profetit Isaia (Is. 6:3). Pas kësaj dheu reshti së lëkunduri dhe djali dha shpirtin e tij te Zoti” (Sinaksari, Vëllimi I). Që nga ajo kohë ky është një himn kryesor në adhurimin liturgjik të Kishës Orthodhokse në të gjithë botën.
Besimtari i cili beson se çdo gjë është në dorën e Perëndisë, aq më shumë njeriut që është i krijuar sipas ikonës së Perëndisë, nuk friksohet në panik kur bie tërmet, por lutet dhe shpreson tek providenca hyjnore: “Prandaj nuk do të kemi frikë, megjithëse toka duhet të ndryshojë. Dhe megjithëse malet rrëshqasin në zemrën e detit; Megjithëse ujërat e tij zhurmojnë dhe shkumëzojnë, megjithëse malet dridhen me krenarinë e tyre” (Psalmi 46: 2-3).
Kisha Orthodhokse ka lutje të veçantë kur bien tërmete: “Ti që shtie syrin mbi dhe, dhe bën që të dridhet, ti na shpëto nga cilido kërcënim dhe tërmet, o Krisht Perëndi dhe Zot dhe dërgona gjithnjë, pa kursim përdëllimin tënd me lutjet e Virgjëreshës dhe Ti na shpëto” (Përlëshorja e Tërmetit).
*Përgjegjësi i Zyrës të Katekizmit pranë Kryepiskopatës së KOASH-it