Aktualitet “Tërmeti na vuri në provë”, Nano: Pse nuk ka pasur vjedhje dhe...

“Tërmeti na vuri në provë”, Nano: Pse nuk ka pasur vjedhje dhe vrasje tre ditët e fundit

“Tragjedia e provokuar nga tërmeti duket se erdhi për të na vënë në provë”. Kështu shprehet Mustafa Nano në monologun e tij të kësaj jave në “Provokacija”, që vjen vetëm pak ditë pas tërmetit të rëndë që goditi vendin dhe mori dhjetëra jetë.

Teksa thekson se ishte një provë, Nano shton se e kemi kaluar këtë test. Madje vë në dukje se këto ditë nuk ka pasur as vjedhje dhe vrasje, ndërsa tregon më tej se “çfarë pamë nga ky tërmet” përveç tragjedisë së madhe e cila vështirë se do të harrohet.

“Tragjedia e provokuar nga tërmeti duket se erdhi për të na vënë në provë, për të na testuar dhe duket se në njëfarë kuptimi ne e kemi kaluar këtë test dhe shenjë për këtë kanë qenë këto ditë të dhembjes dhe hutimit që u bënë edhe ditë të spektaklit të bukur të solidariteti.

As vjedhje dhe vrasje nuk ka pasur gjatë tre ditëve të fundit, shenjë edhe gangot dhe banditët u kapën prej skrupujsh, u dorëzuan para dhembjes dhe solidaritetit kombëtar. Pati edhe njerëz në rrjetet sociale, atje ku mund të flitet duke e mbajtur fytyrën të fshehur, pati edhe njerëz që nxorën mllef dhe vrerë, që mbollën panik që edhe këto ditë e patën mendjen te lojrat politike apo fetare apo ku di unë se çfarë. Pati edhe njerëz që e patën mendjen te shfaqjet dhe pozat para kamerës që vullnetarizmin e shëndërruan në një garë. Që me të bërë një donacion nxitonin t’ja bënin me dije botës.

Pati edhe politikanë që nuk duruan dhe iu kthyen zanatit të vjetër, kacafytjes, gjuhës së urrejtjes. Pati pra edhe të tillë, por në sy ra më së shumti solidariteti, ishte prekës po sa edhe vetë tragjedia. Duhet shpresuar që kjo tragjedi të na ketë bërë më të mirë. Ky ishte monolog im për sonte”, shprehet Nano.