Kryeministri Edi Rama përmes një telefonate ka bërë të ditur se dhuron për Turqinë, në emër të qytetarëve shqiptarë, një milion euro ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti
Dhurimi u bë në një lidhje të drejtpërdrejtë me televizionin turk, ku po bëheshin donacione dhe bamirësi për tërmetin tragjik.
“Faleminderit që më bëtë pjesë, jam shumë i nderuar të sjell në televizionin tuaj zërin e sensibilizimit të Shqipërisë. Shqipëria ka patur një ditë zie, me flamurin tonë në gjysmështize, për të shprehur solidaritet për këtë tragjedi. Ne kemi qenë sa më të shpejtë që mundëm të dërgojmë ekipet e shpëtimit. Nuk do ta harrojmë kurrë atë që Turqia dhe Erdogan bënë pas tërmetit në 2019-ën, dhe kemi vendosur të mbështesim popullin turk. Shpresojmë se familjet turke do ta kalojnë këtë falë solidaritetit. Shqipëria në emër të qytetarëve shqiptarë do të dhurojë 1 milionë euro. E dimë që nevojiten shumë më tepër, por jemi pranë jush dhe japim çfarë të mundemi”, tha kryeministri Rama gjatë telefonatës me organizatorët në studio.
Transmetimi i fushatës televizive “Turqia në zemër” ishte planifikuar për tri orë, por dhe pas pesë orëve donacionet vijojnë.