Diena 30-vjeçe dhe vajza e saj Esiela, vetëm 8 vjeçe, u shuan tragjikisht nga tërmeti i 26 Nëntorit, së bashku nënën e Dienës, Rozetën. Tre breza që sot nuk jetojnë më, lanë pas një dhimbje të madhe për të afërmit e tyre, por dhe shumë hidhërim për gjithë opinionin publik.
Ajo që e bëri edhe më të dhimbshme historinë e Diena dhe Esiela Karanxhës ishte kërkesa e babait të 30-vjeçares tek një prej dyqaneve të Amarda Toskës. Të mërkurën, ai shkoi në një prej filialeve në Durrës dhe kërkoi dy fustane nusërie për të bijën dhe mbesën e ndjerë.
Këtë detaj e bëri të ditur një ditë më parë vetë Toska, në një postim në rrjetet sociale. Sot në një lidhje të drejtpërdrejt në emisionin “Rudina”, Ami rrëfeu momentin kur e kishin njoftuar për kërkesën e dhimbshme.
Gjatë kohës që tregonte, ajo nuk mundi t’i mbante lotët.
“Në fakt nuk e kisha menduar kurrë se do të gjendesha në këtë situatë, duke qenë se merremi vetëm me ditët e lumtura të njerëzve. Ditën e mërkurë pas asaj traumës që na ndodhi të gjithëve, ishte ora rreth 03:30 e drekës, kur më vjen një telefonatë nga vajzat e stafit të Durrësit dhe më thonë kishin një kërkesë për dy fustanet e nuseve për t’i blerë. Në fillim nuk po e kuptoja sepse edhe vajzat ma thanë pak ftohtë. Më thanë që interesohet për dy fustane nusesh. Ngela për një moment se thashë kush është ai që po mendon për dasmë sot. Kur më thotë: ‘Ami nuk janë klientë të zakonshëm, por bëhet fjalë për Dienën dhe vajzën e saj të ndjerë’. Në dyqan kishte ardhur i ati i Dienës. Pyetja nga gocat e stafit kishte qenë pa u kuptuar, për çfarë dasme e doni, për kur interesoheni. Dhe ai ishte shprehur që unë i dua fustanet për Dienën dhe për vajzën e vogël, sepse ato do t’i varrosim me fustanet e dasmës. Në ato momente, sigurisht që nuk kisha më fjalë. Porosia e të atit shkoi në vend”.